Last Updated on 19/05/2026 by EL
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është përzgjedhur nga qeveria gjermane së bashku me dy deputetë të mazhorancës për një tur takimesh dhe diskutimesh në Gjermani, të fokusuar tek procesi i integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë vizitës dyditore, delegacioni zhvilloi takime në Bundestag, në Kancelarinë gjermane, në Ministrinë e Jashtme, si dhe me organizata biznesi, shoqata gjyqtarësh dhe think tank-e që merren me çështjet europiane dhe demokratike.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se procesi i integrimit europian nuk mund të reduktohet në propagandë apo në hapje kapitujsh në letër, por kërkon institucione të forta, ekonomi tregu dhe reforma reale.
Sipas saj, Shqipëria ka kaluar muaj të rëndësishëm në një “udhëkryq” për sa i përket rrugës europiane, ndërsa nënvizoi se tërheqja e investimeve të huaja lidhet drejtpërdrejt me forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e konkurrencës së lirë.
“Rruga e integrimit kalon përmes institucioneve të forta. Tërheqja e investimeve të huaja kërkon institucione të forta dhe reforma ekonomike që sot, fatkeqësisht, nuk janë kryer,” shprehet Tabaku në mesazhin e saj.
Deputetja demokrate vendosi theksin edhe tek roli i parlamentarizmit dhe institucioneve të pavarura në procesin e integrimit, duke theksuar se demokracia funksionale, kontrolli parlamentar dhe lufta ndaj korrupsionit mbeten themeli i rrugës europiane të Shqipërisë.
Në fund të reagimit të saj, Tabaku deklaroi se integrimi europian kërkon mbi të gjitha vullnet politik, duke shtuar se opozita e ka treguar këtë vullnet, ndërsa sipas saj qeverisë i mungon serioziteti për të çuar përpara reformat reale që kërkon Bashkimi Europian.
