Last Updated on 20/05/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë disa ditore në Korenë e Jugut, ku ka zhvilluar një sërë takimesh zyrtare në kuadër të agjendës së tij ndërkombëtare.
Sipas mediave koreane, Rama është pritur nga homologu i tij Kim Min-seok, me të cilin ka diskutuar mbi mënyrat për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Koresë së Jugut.
Gjatë takimit, palët kanë theksuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha si tregtia, investimet dhe teknologjitë e reja, me fokus të veçantë tek inteligjenca artificiale.
Kryeministri korean vuri në dukje interesin e vendit të tij për zhvillimet në këtë fushë, duke përmendur edhe faktin se Shqipëria ka emëruar atë që konsiderohet si “ministrja e parë e inteligjencës artificiale në botë”, Diella, si një shembull i qasjes inovative të vendit ndaj teknologjisë.
Nga ana e tij, Rama u shpreh se Koreja e Jugut është një burim frymëzimi për Shqipërinë në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, duke theksuar se të dy vendet ndajnë përvoja të ngjashme në kapërcimin e sfidave dhe konsolidimin e demokracisë.
Vizita e kryeministrit shqiptar në Seul vjen në kuadër të pjesëmarrjes së tij në një konferencë ndërkombëtare./A.D
