Shtetet e Bashkuara kanë ashpërsuar tonet ndaj qeverisë kubaneze. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, publikoi një mesazh të drejtpërdrejtë për popullin e Kubës, ku fajësoi drejtuesit e ishullit për krizën ekonomike, mungesat e energjisë elektrike, ushqimeve dhe karburantit.
Në videomesazhin e publikuar me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kubës, Rubio deklaroi se ndërprerjet e energjisë nuk janë pasojë e një “bllokade” amerikane, por rezultat i korrupsionit dhe keqmenaxhimit nga elita në pushtet.
Sipas tij, kompania ushtarake GAESA kontrollon rreth 70 për qind të ekonomisë kubaneze dhe ka përfituar miliarda dollarë, ndërsa qytetarët përballen me varfëri dhe mungesa të theksuara.
Marco Rubio tha se administrata Trump është e gatshme të hapë një “kapitull të ri” në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kubës, duke ofruar 100 milionë dollarë ndihmë në ushqime dhe ilaçe për popullin kubanez. Ai theksoi se ndihmat duhet të shpërndahen nga Kisha Katolike ose organizata të besuara humanitare dhe jo nga strukturat shtetërore kubaneze.
Sekretari amerikan premtoi gjithashtu mbështetje për një Kubë të re, ku qytetarët të kenë të drejtën të hapin biznese private, media të pavarura dhe të votojnë lirshëm për qeverinë e tyre.
Ndërkohë, ambasada kubaneze në Uashington reagoi menjëherë ndaj deklaratave të Rubios, duke i cilësuar ato si gënjeshtra dhe duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për presion dhe “trajtim mizor” ndaj popullit kubanez.
Sipas mediave amerikane, administrata Trump pritet të njoftojë edhe akuza penale ndaj ish-presidentit kubanez Raul Castro, në një tjetër hap që rrit tensionet mes dy vendeve./MXH
