Autoritetet lituaneze ngritën alarmin pas hyrjes së një droni të paidentifikuar në hapësirën ajrore të vendit, duke detyruar pezullimin e përkohshëm të trafikut në aeroportin e Vilniusit dhe aktivizimin e avionëve luftarakë të NATO-s.
Sipas Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave në Lituani, objekti fluturues u zbulua në rajonin e Ignalinës, pranë kufijve me Letoninë dhe Bjellorusinë. Autoritetet njoftuan qytetarët të strehoheshin, ndërsa shkollat dhe kopshtet u urdhëruan të çonin fëmijët në strehime sigurie.
Drejtuesi i Qendrës së Krizave, Vilmantas Vitkauskas, deklaroi se ende nuk dihet nëse bëhej fjalë për një dron luftarak apo për një mjet të përdorur për të mashtruar sistemet elektronike të mbrojtjes ajrore.
Në përgjigje të incidentit, forcat e policimit ajror të NATO-s ngritën dy avionë luftarakë nga baza ajrore Amari në Estoni për të patrulluar mbi shtetet baltike dhe për të identifikuar objektin.
Komandanti i Forcave Tokësore lituaneze, gjeneral brigade Nerijus Stankevicius, tha se operacioni përfundoi pa u identifikuar droni në ajër dhe se aktualisht nuk dihet nëse ai është rrëzuar apo ka dalë nga territori lituanez.
Operacionet e kërkimit vijojnë nga ajri dhe toka, ndërsa autoritetet po hetojnë origjinën e mjetit fluturues.
Vendet baltike, mbështetëse të forta të Ukrainës, kanë akuzuar më herët Moskën për incidente të ngjashme, ndërsa sulmet me dronë në rajon janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit për shkak të luftës në Ukrainë./mxh
