Klubi i Besiktasit ka konfirmuar zyrtarisht shitjen përfundimtare të kartonit të Ernest Muçit te skuadra e Trabzonsporit. Fantazisti 25-vjeçar u aktivizua te kjo skuadër gjatë këtij edicioni në formë huazimi, duke u shndërruar në një pikë referimi për ekipin.
Gjatë kësaj periudhe, lojtari i përfaqësueses shqiptare u paraqit në 27 ndeshje kampionati, ku arriti të shënonte 11 gola dhe të dhuronte 3 asistime. Kontributi i tij ndihmoi Trabzonsporin që të siguronte edhe pjesëmarrjen në finalen e Kupës së Turqisë.
Nisur nga këto performanca, drejtuesit e klubit të ri vendosën të paguajnë rreth 9 milionë euro për blerjen e plotë të kartonit të tij. Sipas detajeve të kontratës së re, Muçi do të përfitojë një pagë sezonale prej 3.5 milionë eurosh. Ky akord e pozicionon atë si një ndër futbollistët shqiptarë me të ardhurat më të larta në merkaton aktuale./mxh
