Banorët dhe turistët në Paris janë surprizuar mëngjesin e së enjtes, pasi ura më e vjetër e qytetit, Pont Neuf, u shndërrua në një instalacion gjigant artistik që ngjan me një varg malor shkëmbor mbi lumin Sena.
Vepra me titull “La Caverne du Pont Neuf” është krijuar nga artisti francez JR, i njohur për instalacionet e tij monumentale në hapësira publike. Projekti mbulon urën historike të shekullit të 17-të me pëlhurë të printuar dhe struktura me ajër të kompresuar, duke krijuar forma që imitojnë shpella dhe shkëmbinj gëlqerorë deri në 18 metra të lartë.
Nga larg, instalacioni krijon iluzionin sikur natyra ka pushtuar zemrën e kryeqytetit francez, ndërsa në sfond shfaqet edhe Kulla Eiffel.
Turistë dhe kalimtarë të shumtë ndaluan për të fotografuar veprën e pazakontë. Një turiste nga Teksasi, Brynne Olson, e cilësoi instalacionin si “unik” dhe tha se i tërhoqi menjëherë vëmendjen.
Instalacioni shtrihet përgjatë 120 metrave të urës Pont Neuf dhe pavarësisht pamjes masive, pesha e tij është rreth pesë tonë. Struktura mbahet nga sisteme të brendshme mbështetëse dhe do të jetë e aksesueshme për vizitorët, të cilët do të mund të ecin brenda saj pas hapjes zyrtare.
Edhe disa banorë të Parisit thanë se vepra i ka bërë për vete me kalimin e kohës. Parisiania Alice Faure u shpreh se fillimisht ishte skeptike, por më pas e konsideroi instalacionin shumë të bukur dhe plot lëvizje artistike.
Vetë artisti JR tha se projekti vazhdon eksplorimin e tij mbi raportin mes arkitekturës dhe asaj që fshihet poshtë saj. Sipas tij, instalacioni krijon ndjesinë e një peizazhi malor që kalon përmes Parisit dhe që vizitorët mund ta përjetojnë nga brenda.
Vepra rikthen në kujtesë edhe projektin e famshëm të artistëve Christo dhe Jeanne-Claude, të cilët mbështollën Pont Neuf në vitin 1985. Megjithatë, JR theksoi se lidhja është më shumë konceptuale sesa direkte.
Instalacioni do të hapet për publikun më 6 qershor dhe do të qëndrojë në Paris deri më 28 qershor. Hyrja për vizitorët do të jetë falas.
