Rusia ka deklaruar se zgjidhja e krizës me Iranin mund të arrihet vetëm përmes dialogut diplomatik dhe respektimit të interesave të Teheranit.
Gjatë një deklarate për mediat në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, theksoi se Irani ka të drejtë të zhvillojë një program bërthamor paqësor në përputhje me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Sipas saj, vendimet mbi pasurimin e uraniumit dhe përdorimin e materialeve bërthamore duhet të merren vetëm nga vetë populli iranian.
Zakharova deklaroi se Rusia është e gatshme të ndihmojë si Teheranin ashtu edhe Uashingtonin në zbatimin e çdo marrëveshjeje që mund të arrihet gjatë negociatave.
Ajo shtoi se Moska beson se çështja mund të zgjidhet vetëm përmes mjeteve politike dhe diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duke respektuar interesat legjitime të Republikës Islamike të Iranit.
E pyetur për detajet e bisedimeve mes palëve, zëdhënësja ruse refuzoi të japë informacion shtesë, duke thënë se negociatat mbeten ende “pas dyerve të mbyllura”.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme lidhur me programin bërthamor iranian dhe përpjekjet ndërkombëtare për rikthimin e dialogut mes Iranit dhe fuqive perëndimore./mxh
