Last Updated on 22/05/2026 by Anisa
Politologu Adri Nurellari ka deklaruar se qeveria Rama nuk i ka përmbushur kriteret për anëtarësim në Bashkimin Europian, por sipas tij, procesi i integrimit mbetet një zhvillim pozitiv dhe çlirim për demokracinë në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Nurellari theksoi se anëtarësimi në BE do të sillte një rishpërndarje të pushtetit dhe forcim të pluralizmit në vend.
Sipas tij, integrimi europian do të kufizonte pushtetin e aktorëve politikë aktualë dhe do të krijonte një hapësirë më të balancuar institucionale.
“Mendoj se është një çlirim dhe do të kemi një lloj pluralizimi të Shqipërisë, sepse një pjesë e mirë e gjërave do ndodhin në kuadër të një hapësire më të madhe, ku këta nuk do të kenë më këtë përqendrim pushteti që kanë pasur deri tani. Kjo është premisa ku e nis unë dhe e them me gëzim dhe me shpresë. Tani po i mbyllin dy sytë, edhe hundët, për të na futur me zor…Sepse unë mendoj se duke u futur, është më mirë se duke ndenjur jashtë saj. Në kuptimin personal unë jam i entuziazmuar, për arsye se këta që e kanë sot pushtetin, nuk do t’i kenë duart kaq të lira dhe s’do kenë më kaq pushtet nëpër duar. Por që do duhet t’i përmbushnim këto kritere për të mirën e shoqërisë dhe vendit tonë, në radhë të parë, pastaj kjo është bisedë tjetër”, tha ai./A.D
