Analisti Andi Bushati ka komentuar procesin e brendshëm në Partinë Demokratike, duke deklaruar se mënyra se si Sali Berisha po e drejton garën për kryetar ka dëmtuar partinë, por njëkohësisht ka nxjerrë në pah, sipas tij, qëndrime hipokrite në debatin publik për demokracinë.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Bushati tha se mungesa e kandidatëve përballë Berishës në garë përbën një dëm për PD-në, por ka shërbyer për të ekspozuar qëndrimet e disa figurave publike.
“Kjo që ka bërë Berisha i ka bërë të keqe PD-së, por i ka bërë një të mirë shoqërisë. Ky ka qenë një muaj e gjysmë që ka nxjerrë përballë publikut të gjithë ata njerëz që në mënyrë paradoksale shqetësohen më shumë për demokracinë në PD, sesa për demokracinë në Shqipëri,” u shpreh Bushati.
Ai shtoi se, sipas tij, një pjesë e debatit publik ka qenë i njëanshëm dhe i fokusuar vetëm te zhvillimet brenda opozitës, duke anashkaluar problemet më të gjera të demokracisë në vend.
“Kanë derdhur lot për demokracinë në PD, por nuk kanë bërë as 10% për zhdukjen e demokracisë në Shqipëri,” deklaroi ai./A.D
