Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se NATO duhet të jetë një aleancë funksionale dhe e dobishme për të gjithë anëtarët e saj, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë në forcimin e industrisë së mbrojtjes.
Në një deklaratë përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë takimit të ministrave të jashtëm në Helsingborg të Suedisë, Rubio tha se aleanca duhet të përcaktojë qartë pritshmëritë dhe përgjegjësitë mes vendeve anëtare.
Ai paralajmëroi se kapacitetet aktuale të prodhimit të municioneve nuk janë të mjaftueshme për nevojat e ardhshme të sigurisë, duke theksuar rëndësinë e rritjes së prodhimit dhe bashkëpunimit industrial mes aleatëve.
Sipas Rubios, forcimi i bazës industriale të mbrojtjes është thelbësor jo vetëm për prodhimin e armëve dhe municioneve, por edhe për ndërveprimin dhe koordinimin ushtarak mes vendeve të NATO-s.
Në fokus të deklaratave ishte edhe tensioni me Iranin. Rubio tha se ka pasur disa lëvizje të vogla pozitive në bisedimet me Teheranin, por nënvizoi se pozicioni i Shteteve të Bashkuara mbetet i pandryshuar: Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore.
Ai theksoi se çështjet kryesore mbeten programi iranian i pasurimit të uraniumit dhe rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta.
Rubio reagoi edhe ndaj situatës në Ngushticën e Hormuzit, duke akuzuar Iranin se po përpiqet të vendosë një sistem tarifash për kalimin detar në këtë korridor strategjik.
Sipas tij, një veprim i tillë do të ishte i papranueshëm dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm edhe për zona të tjera strategjike në botë.
Sekretari amerikan tha se Ngushtica e Hormuzit mbetet jetike jo vetëm për vendet e NATO-s, por edhe për ekonominë globale dhe rajonin Indo-Paqësor.
Takimi në Suedi konsiderohet si një etapë përgatitore për samitin e ardhshëm të liderëve të NATO-s që pritet të mbahet më vonë këtë vit në Ankara të Turqisë./mxh
