Të kapesh duke folur me veten mund të jetë paksa e sikletshme. Shpesh duket sikur po zhvillojmë një debat imagjinar në mes të rrugës apo supermarketit, por e vërteta është se pothuajse të gjithë e bëjnë. Dhe jo, kjo nuk do të thotë se po “halucinojmë”.
Në fakt, dialogu i brendshëm është një pjesë shumë e rëndësishme e mënyrës si funksionon mendja jonë. Edhe kur nuk flasim me zë, ne vazhdimisht bëjmë biseda me veten, analizojmë situata, rikujtojmë gjëra, planifikojmë ditën dhe përpiqemi të kuptojmë emocionet tona. Psikologët thonë se kjo na ndihmon të organizojmë mendimet, të menaxhojmë stresin dhe madje të rrisim vetëbesimin.
Më poshtë janë pesë arsye pse të folurit me veten mund të jetë shumë më pozitiv sesa mendoni:
1. E ndihmon trurin të funksionojë më mirë
Ju ka ndodhur ndonjëherë të kërkoni diçka në supermarket duke përsëritur emrin e saj me vete? Sipas një studimi të publikuar në Quarterly Journal of Experimental Psychology, njerëzit që përsërisnin emrin e objektit që kërkonin e gjenin më shpejt sesa ata që kërkonin në heshtje.
Shpjegimi është i thjeshtë: kur e themi një fjalë me zë apo në mendje, truri ynë aktivizon më shpejt kujtesën vizuale dhe e bën objektin më të lehtë për t’u dalluar.
Të flasësh me veten nuk është turp: 5 arsye pse
2. Ndihmon në organizimin e mendimeve dhe arritjen e qëllimeve
Të folurit me veten funksionon si një “udhëzues i brendshëm”. Kur kemi një ditë të ngarkuar, një prezantim të rëndësishëm apo një takim stresues, shpesh fillojmë të rikujtojmë me vete hapat që duhet të ndjekim.
Psikologia Linda Sapadin shpjegon se kjo teknikë ndihmon në përqendrim, organizim dhe kontroll emocional. Në një farë mënyre, është si të bësh prova para një momenti të rëndësishëm, gjë që të bën të ndihesh më i përgatitur.
Të flasësh me veten nuk është turp: 5 arsye pse
3. Ul stresin dhe ankthin
Kur i flasim vetes me qetësi, krijojmë ndjesinë se kemi më shumë kontroll mbi situatën. Qoftë duke përsëritur se “gjithçka do të shkojë mirë” apo duke organizuar mendimet para një sfide, kjo metodë ndihmon në uljen e tensionit emocional.
Shpesh, vetë fakti që dëgjojmë zërin tonë duke na qetësuar, e bën mendjen ta besojë më lehtë se situata është e menaxhueshme.
4. Rrit motivimin
Sa herë i keni thënë vetes “mund ta bëj”? Edhe kjo është formë e dialogut të brendshëm dhe rezulton shumë efektive.
Një studim me lojtarë basketbolli tregoi se atletët që përdornin fjalë motivuese ndaj vetes kishin performancë më të mirë dhe më të saktë gjatë lojës. Në thelb, mënyra si flasim me veten mund të ndikojë drejtpërdrejt në besimin dhe energjinë tonë.
Të flasësh me veten nuk është turp: 5 arsye pse
5. Forcon vetëbesimin dhe vetëdijen
Sipas një studimi të Universitetit të Lethbridge, njerëzit që praktikojnë një monolog të brendshëm pozitiv arrijnë të ndryshojnë mënyrën si e shohin veten dhe situatat përreth.
Edhe emocionet negative bëhen më të lehta për t’u kuptuar kur i “dëgjojmë” me kujdes. Duke pranuar atë që ndiejmë, fitojmë më shumë vetëdije emocionale dhe krijojmë një marrëdhënie më të shëndetshme me veten.
Fundja, të folurit me veten nuk është një zakon i çuditshëm, por një mekanizëm natyral që truri përdor për të funksionuar më mirë. Dhe ndoshta herën tjetër që do ta kapni veten duke folur vetëm, nuk do t’ju duket më aq e sikletshme./mxh
