Rafa Benitez nuk është më trajner i Panathinaikos. Pas 7 muajsh në stolin e ekipit athinas, klubi grek dhe trajneri spanjoll kanë ndërprerë bashkëpunimin me marrëveshje.
Tekniku spanjoll, i cili u emërua më 21 tetor duke firmosur një kontratë 2.5-vjeçare, do të marrë një kompensim mbi 5 milionë euro për prishjen e parakohshme të marrëveshjes. Vendimi vjen pasi drejtuesit e klubit kishin planifikuar të vijonin me një tjetër trajner për sezonin e ri.
Gjatë aventurës së tij, Benitez e drejtoi Panathinaikos-in në 41 ndeshje, duke regjistruar një bilanc prej 20 fitoresh, 11 barazimesh dhe 10 humbjesh. Nën drejtimin e tij, skuadra e mbylli kampionatin (Superliga Stoiximan) në vendin e katërt dhe arriti deri në fazën e 1/16-ave të Europa League. Në Kupën e Greqisë, rrugëtimi i tyre u ndal në çerekfinale, ku u eliminuan nga PAOK. Sipas mediave, pasardhësi i mundshëm në stolin e ‘të gjelbërve’ është Jakub Nystrup./mxh
