Një ide kreative e nisur nga disa gra të moshuara në Spanjë është kthyer në një nga zgjidhjet më unike kundër vapës së verës.
Gjithçka nisi në vitin 2018 në qytetin Alhaurín de la Torre, ku mësuesja e thurjes me grep, Eva Pacheco së bashku me një grup gjyshesh vendosën të krijonin mbulesa gjigante me grep për të mbrojtur rrugët nga temperaturat e larta.
Në vend të tendave plastike që mbajnë nxehtësinë, ato realizuan çati shumëngjyrëshe prej fijesh rezistente ndaj diellit, duke e kthyer qytetin në një “galeri arti” në qiell të hapur.
Sipas raportimeve, këto mbulesa arrijnë të ulin temperaturën deri në 5°C në zonat me hije, ndërsa njëkohësisht kanë sjellë më shumë turistë dhe kanë frymëzuar qytete të tjera në Spanjë të ndjekin të njëjtën ide.
Pamjet e rrugëve të mbuluara me motive shumëngjyrëshe janë bërë virale në rrjetet sociale, duke u cilësuar si një nga zgjidhjet më kreative dhe artistike për klimën./mxh
