Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat ku ka ndarë detaje për numrin e anëtarëve që kanë votuar deri më tani për referendumin për kryetar.
Vokshi njoftoi se deri në orën 15:00, në 77 qendrat e votimit kanë hedhur votën e tyre 28379 anëtarë.
“Nga kontaktet që kemi pasur me të gjitha degët, po ju informoj që pjesëmarrja deri në orën 15:00 në 77 degët e Partisë Demokratike, rezulton që të jetë 28,379 votues”, tha Vokshi.
Ajo u shpreh më tej se një numër i saktë i anëtarëve që kanë pasur të drejtë vote dhe kanë votuar do të jepet pas përfundimit të procesit të referendumit.
“Mendoj që kjo dalje është vetëm për pjesëmarrjen, për procesin e votimit. Me të mbaruar procesi i votimit neve do t’ju japim të gjitha sqarimet për numrin e votuesve të Partisë Demokratike që kanë të drejtë vote dhe janë ftuar sot. Kjo do të thotë që janë punuar listat, janë pastruar listat. Një pjesë janë larguar në diasporë, por do t’ju japim të gjitha detajet e nevojshme. Pra, jemi transparentë deri në fund, ju kemi dhënë një numër siç është sot. Nesër mund të rritet ai numër sepse ka anëtarësime të reja, mund të zvogëlohet sepse ikin nga diaspora. Sot është ky numri i cili është ftuar për të votuar për referendumin, për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike”, tha deputetja.
Kujtojmë se qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 dhe procesi do të vazhdojë deri në orën 18:00. Emri i vetëm në fletën e votimit është kryedemokrati Sali Berisha./mxh
