Nga Francesca Pierleoni
“Në jetë kam një reagim shumë të fortë ndaj çdo gjëje që nuk më duket e drejtë. Kur shoh njerëz që luftojnë për të drejta që nuk duhet të viheshin kurrë në diskutim, ndiej nevojën ta shpreh këtë angazhim edhe përmes punës sime artistike.”
Kështu u shpreh Penélope Cruz gjatë konferencës për shtyp në Cannes Film Festival për filmin La Bola Negra, të regjisuar nga dyshja spanjolle Javier Calvo dhe Javier Ambrossi, të njohur si “Los Javis”. Filmi garon për Palmën e Artë dhe u prit me duartrokitje të gjata në shfaqjen zyrtare.
Filmi, i bashkëprodhuar nga Pedro Almodóvar, rrëfen historinë e tre burrave homoseksualë në periudha të ndryshme kohore – 1932, 1937 dhe 2017 – të lidhur nga një vepër e papërfunduar e Federico García Lorca. Në kast bëjnë pjesë edhe Guitarricadelafuente, Miguel Bernardeau, Glenn Close dhe aktori italian Lorenzo Zurzolo.
Në film, Cruz interpreton rolin e një këngëtareje dhe showgirl-i që performon për trupat gjatë Luftës Civile Spanjolle.
“Kam qenë fanse e madhe e Los Javis që nga filmi i tyre i parë”, tha aktorja, e cila rikthehet në festival në një edicion ku edhe bashkëshorti i saj, Javier Bardem, konkurron me filmin El ser querido të Rodrigo Sorogoyen.
Ajo tregoi edhe një episod dramatik gjatë xhirimeve të La Bola Negra.
“Teksa po më vendosnin paruken për një skenë kërcimi dhe kënge, mora një telefonatë nga një mjek, i cili më tha se, bazuar në analizat që kisha bërë, ekzistonte mundësia që të kisha një aneurizëm në tru. Mendova se po bënte shaka”, rrëfeu Cruz.
“Fillova të qaja në telefon dhe më pas vazhdova të përgatitesha për xhirim. Vendosa të mos u thosha regjisorëve deri të nesërmen dhe pyeta mjekun nëse mund të vazhdoja të kërceja dhe të këndoja për 12 orët e ardhshme. Ai më tha po. Ishte një nga momentet më surrealiste të jetës sime. Për fat të mirë, rezultoi alarm i rremë.”
Aktorja foli edhe për lidhjen e saj me festivalin e Kanës.
“Mendoj se kam ardhur këtu për herë të parë rreth moshës 25-vjeçare. Nga të gjitha kujtimet, premiera e Volver mbetet ndoshta më magjikja. Por çdo herë mëson diçka në këtë festival.”
Duke folur për ekipin e ri të filmit, Cruz shtoi:
“Është një nga përvojat më intensive që kam përjetuar ndonjëherë. Më del në pah instinkti im amësor dhe mbrojtës kur i shoh këta të rinj që prezantojnë filmin e tyre për herë të parë.”
