Pilula GLP-1 e kompanisë Novo Nordisk përmban semaglutidë, të njëjtën substancë aktive që përdoret edhe në formë injeksioni për trajtimin e obezitetit. Mesatarisht, ajo ul peshën trupore me 13,6%.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka dhënë një opinion pozitiv për këtë ilaç, duke i hapur rrugën miratimit përfundimtar nga Komisioni Evropian në javët e ardhshme. Zakonisht, Komisioni ndjek rekomandimet e EMA-s.
Pilula përmban 25 mg semaglutidë dhe sipas kompanisë prodhuese ofron efekt të ngjashëm në humbjen e peshës si format injektuese që janë në përdorim prej vitesh. Aktualisht, Novo Nordisk ka edhe një version tjetër oral të semaglutidës për diabetin e tipit 2, por me dozë më të ulët.
Ky trajtim është i destinuar vetëm për të rritur me obezitet, ose persona mbipeshë që kanë të paktën një sëmundje të lidhur me peshën (si diabeti, hipertensioni, kolesteroli i lartë, sëmundjet e zemrës ose apnea obstruktive e gjumit). Ai duhet të shoqërohet gjithmonë me dietë dhe aktivitet fizik.
Vendimi bazohet në një studim klinik të fazës 3 me 307 pjesëmarrës, ku ata që morën pilulën humbën mesatarisht 13,6% të peshës në rreth 15 muaj, krahasuar me 2,2% në grupin placebo.
Semaglutida i përket klasës së barnave GLP-1 (agonistë të GLP-1), të cilat imitojnë një hormon që ndihmon në rregullimin e sheqerit në gjak dhe ndikon edhe në qendrat e oreksit në tru.
Avantazhi kryesor i pilulës është përdorimi më i thjeshtë krahasuar me injeksionet javore, gjë që mund të rrisë ndjeshëm përdorimin e saj.
Sipas vlerësimeve të Reuters, tregu global i barnave GLP-1 kundër obezitetit mund të arrijë rreth 150 miliardë dollarë në vit deri në fund të dekadës së ardhshme.
Në SHBA, pilula e Novo Nordisk është miratuar tashmë në dhjetor, ndërsa në prill është miratuar edhe një alternativë nga Eli Lilly and Company.
Pilula e Novo Nordisk merret çdo mëngjes me stomak bosh, rreth 30 minuta para ushqimit ose barnave të tjera, ndërsa pilula e Eli Lilly nuk ka këto kufizime./fjala.al-A.D
