Last Updated on 25/05/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pyetur për mungesën e urimeve nga liderët e partive simotra europiane pas zgjedhjeve të 23 majit, ku u rizgjodh në krye të PD-së.
Berisha u përgjigj duke theksuar se nuk është ndër politikanët që dërgon shumë urime dhe se kjo, sipas tij, është një praktikë “reciproke”.
“Sa i përket urimeve, kam marrë urime nga miq të mi, pres urime, por të jemi i sinqertë nuk mund të them që unë jam nga ata që çoj shumë urime, është reciproke”, tha Berisha.
Ai e cilësoi procesin e zgjedhjes së tij si “një nga ditët më të ndritshme të demokracisë në Shqipëri”, duke akuzuar kundërshtarët për përpjekje për të ndikuar dhe për të dëmtuar garën brenda Partisë Demokratike.
“E shtuna ishte një nga ditët më të ndritshme të demokracisë në Shqipëri… kam një mirënjohje të pafund për të gjithë ata që u përgjigjën pas një propagande agresive…”, deklaroi ai.
Akuza për marrëveshjen detare me Greqinë
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për sabotim të marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë.
“Partia Demokratike ka dënuar me forcën më të madhe qëndrimin… Edi Rama, për llogari të palëve të treta, bëri gjithçka që të sabotonte marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se marrëveshja e mëparshme, sipas tij, i jepte Shqipërisë një avantazh në rast shqyrtimi ndërkombëtar, ndërsa ndryshimet e mëvonshme dhe shpallja e 12 miljeve detare nga pala greke, sipas tij, e ndryshojnë balancën.
“Ekspertë ndërkombëtarë shkruan se kjo marrëveshje, nëse rimatet apo rishqyrtohet, mund të dalë shumë e drejtë… por në rast se Greqia shpall 12 miljet, gjithçka përmbyset kundër Shqipërisë”, tha ai.
Berisha komentoi edhe vizitën e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, duke theksuar se çdo ministër grek është i mirëpritur dhe se pret zhvillime nga dialogu mes dy vendeve./A.D
