Nga Leonard Veizi
Pesë krisma radhazi. Pa lëkundje. Edhe pse asnjë nuk e zuri. Atentatori ishte aty. Nuk erdhi nga stepat ruse dhe as nga zyrat e Kominternit. Ishte shqiptar, nga Piqerasi i bregdetit, dhe quhej Vasil Laçi…
…Atentati ndodhi më 17 maj 1941. Nëntë ditë më vonë, më 26 maj, makineria pushtuese fashiste e dënoi me vdekje dhe një ditë pas vendimit e ekzekutoi në litar. Faji i tij? Kishte guxuar të ngrinte armën kundër Viktor Emanuel III, mbretit italian dhe perandor i Etiopis,që mbante mbi kokë kurorën e grabitur të Shqipërisë – simbolin e pushtimit, dhunës dhe përdhosjes së sovranitetit të një vendi të vogël ballkanik.
Vizita e goditur
Viktor Emanueli III kishte planifikuar një vizitë të zgjeruar në Shqipëri pas pushtimit italian. Ai qëndroi shtatë ditë në vend dhe, përveç Tiranës, vizitoi edhe Krujën, Shkodrën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Delvinën, Gjirokastrën dhe Korçën. Por përgjatë Rrugës së Durrësit, – tek donte të mbërrinte në Laprakë ku do ti hipte avionit, – kortezhi perandorak u përball me atë që propaganda fashiste nuk e kishte llogaritur: rezistencën shqiptare. Plumbat e atentatit plagosën lehtë kryeministrin kolaboracionist Shefqet Vërlaci por nuk dëmtuan “augustin”.
Frika nga “gjaku shqiptar”
Në planin propagandistik, Roma fashiste nuk mund ta pranonte kurrë që një djalosh shqiptar po refuzonte me plumba “mirësinë” e Perandorisë. Pranimi i kësaj do të rrëzonte gjithë mitin e “çlirimit” dhe “bashkimit” me Italinë.
Te romani “Nëntori i një kryeqyteti”, Ismail Kadare e zbërthen me mjeshtëri panikun e propagandës fashiste kur shkruan: Më në fund ata e gjetën zgjidhjen: atentatori ishte çifut, sigurisht; përveç kësaj ishte dhe rus, pra çifut rus, i maskuar nën emrin Vasil Laçi.
Njoftimi zyrtar i zyrs perandorake përpiqej me dëshpërim të fshinte të vërtetën, duke deklaruar se monarku kishte shpëtuar nga nj “agjent i Kominternit”, njëfarë Izak Mihajllov, i dërguar posaçërisht për atentatin. “Zoti e shpëtoi perandorin august”, thuhej në njoftim,
Ishte një përpjekje groteske për t’ia mohuar Shqipërisë birin e saj rebel nga bregdeti.
Të vdesësh si shqiptar
Për Romën, ishte e paimagjinueshme që populli që pretendonte se po “civilizonte” po i përgjigjej me grykën e pistoletës. Ky absurditet del edhe në prapaskenat e procesit gjyqësor, të sjella më vonë në filmin “Plumba Perandorit” të regjisorit Mevlan Shanaj.
Teksa kryetari i trupit gjykues, i veshur me uniformën fashiste, diskutonte me cinizëm me oficerin e shërbimeve sekrete, Xanini, që kishte montuar procesin se si duhej “shitur” atentatori para opinionit publik – si grek, si rus, si çifut apo si sllav – përgjigjja e prerë vuloste të vërtetën:
-I dashur, ai po vdes si shqiptar. Më kupton? Si shqiptar.
Në atë fjali kishte më shumë frikë sesa propagandë. Sepse pushtuesit e kuptonin se një komb që prodhon njerëz të gatshëm të vdesin për lirinë, nuk mund të mbahet gjatë nën çizmen pushtuese.
Më shumë se hakmarrje
Vasil Laçi foli vetë përpara hetuesve të tij, me një kthjelltësi që nuk lalinte vend për interpretime:
-Mund t’ju them se qëllova me bindje të plotë mbi perandorin, sepse vetëm kështu mund të veproja.
Ky atentat nuk ishte një akt i izoluar dhe as një shpërthim i verbër rinor, si u mundua ta shiste propaganda. Ishte britma e një brezi që refuzonte ta shihte Shqipërinë si provincë të Fashos Romane. Në një kohë kur propaganda dhe kolaboracionistët përpiqeshin ta paraqisnin okupimin si “aleancë”, plumbat e Laçit grisën perden e mashtrimit. Ata treguan se Shqipëria ishte e pushtuar, por jo e nënshtruar.
Regjimi fashist reagoi me egërsinë tipike të pushtuesit që ndien frikën pas uniformës. Dënimi me varje u mendua si spektakël terrori për të mbjellë nënshtrim publik. Por historia prgjithsisht tallet me diktaturat: aty ku ato kërkojnë të zhdukin një emër, përfundojnë duke krijuar një simbol.
Epilogu
Vasil Laçi u shpall më vonë “Hero i Popullit”. Enciklopedia Shqiptare e vitit 1985 e përshkruan si një të ri patriot dhe antifashist, ndërsa atentati i tij konsiderohet si një nga sinjalet e para të rezistencës së organizuar kundër pushtimit italian.
Sot, figura e Vasil Laçit nuk i përket vetëm kronikës historike. Ajo mbetet simbol i kundërshtimit ndaj pushtimit dhe poshtërimit kombëtar. Ai kujton se liria e një vendi nuk matet me madhësinë e territorit apo fuqinë e ushtrive, por me njerëzit që janë të gatshëm të japin jetën për të mos jetuar në gjunjë.
