Qeveria e Japonisë ka njoftuar se do të hartojë një buxhet shtesë prej rreth 3 trilionë jenësh, ose rreth 19 miliardë dollarë, në përpjekje për të përballuar rritjen e kostove të energjisë dhe pasiguritë në tregjet globale.
Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, deklaroi se situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe se qeveria do të ndërhyjë me masa mbështetëse, përfshirë subvencione për faturat e energjisë elektrike dhe gazit.
Ajo tha se masat nuk do të kufizohen vetëm në uljen e kostove për qytetarët, por do të përfshijnë edhe një strategji më të gjerë për menaxhimin e rrezikut ekonomik, që pritet t’i paraqitet parlamentit japonez brenda javës së ardhshme.
Sipas saj, rritja e mundshme e çmimeve të energjisë do të ndikojë në tarifat e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë periudhës së verës, kur konsumi është më i lartë, ndaj qeveria do të zbatojë masa mbështetëse për muajt korrik–shtator.
Takaichi paralajmëroi gjithashtu për nevojën e shmangies së spekulimeve dhe destabilizimit të tregut të energjisë, duke theksuar se Japonia synon të shmangë skenarë të ngjashëm me krizën e naftës së viteve 1970.
Në planin afatgjatë, qeveria japoneze synon të rrisë ndjeshëm përdorimin e burimeve të energjisë së dekarbonizuar, përfshirë energjinë bërthamore dhe atë të rinovueshme, duke synuar që ato të përbëjnë deri në 70 për qind të prodhimit të energjisë deri në vitin 2040.
Masat vijnë në një moment kur Japonia po përballet me presione të vazhdueshme nga çmimet e larta të energjisë dhe pasojat e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare./mxh
