Verës së këtij viti duket se po i shtohet një nga ngjarjet më të komentuara të showbiz-it shqiptar. Prej muajsh në qendër të spekulimeve mediatike, marrëdhënia mes Bora Zemani dhe Donald Veshaj po përflitet gjithnjë e më shumë si një histori që po shkon drejt kurorëzimit me martesë.
Burime pranë çiftit sipas “Prive by Liberta Spahiu”, bëjnë me dije se plani për dasmën është vendosur për muajin korrik. Ceremonia, sipas të njëjtave informacione, pritet të jetë një nga eventet më të spikatura të sezonit veror në Shqipëri.
Edhe pse Bora ka qenë e kujdesshme në deklaratat e saj publike, duke i cilësuar shpesh këto lajme si thjesht thashetheme, kësaj radhe situata duket më konkrete se kurrë. Nga ana tjetër, Donaldi ka lënë të kuptohet se përgatitjet janë në zhvillim e sipër, gjatë një bisede në emisionin “Më lër të flas”, ku ishte i ftuar së bashku me vëllain e tij Romeo Veshaj.
Në atë intervistë, ai foli me humor edhe për procesin e organizimit, duke treguar se çifti nuk është gjithmonë në të njëjtën linjë mendimi, veçanërisht kur bëhet fjalë për detajet e ceremonisë dhe listën e të ftuarve. Po ashtu, ai la të hapur mundësinë që planet e tyre të përfshijnë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm në të ardhmen.
Sipas të njëjtave burime, dasma pritet të organizohet në jug të Shqipërisë, në një ambient pranë detit, duke synuar një atmosferë intime dhe verore, të rrethuar nga familjarët dhe miqtë më të afërt.
Nëse këto informacione konfirmohen zyrtarisht, ceremonia e çiftit pritet të jetë një nga temat më të diskutuara të kësaj vere në median dhe rrjetet sociale shqiptare./mxh
