Mediat e huaja po raportojnë se marrëdhënia mes Sydney Sweeney dhe Scooter Braun mund të jetë përballur me momente tensioni për shkak të rolit të aktores në serialin “Euphoria”.
Edhe pse më herët u tha se Braun e mbështet plotësisht partneren e tij dhe zgjedhjet e saj artistike, burime pranë çiftit pretendojnë se ai nuk ndihet gjithmonë komod me ekspozimin dhe skenat intime që kanë tërhequr vëmendje të madhe në sezonin e ri të serialit.
Sipas raportimeve të “RadarOnline”, menaxheri i njohur po përpiqet të ruajë një qëndrim mbështetës në publik, por prapa kamerave situata thuhet se është më e ndërlikuar.
“Vëmendja e vazhdueshme që marrin skenat e Sydney-t po krijon presion,” ka deklaruar një burim, duke shtuar se çdo episod shoqërohet me reagime të shumta në rrjet dhe media.
Megjithatë, jo të gjitha raportimet flasin për krizë në çift. “Page Six” shkruan se marrëdhënia e tyre mbetet stabile dhe se Braun respekton plotësisht karrierën e aktores, pa ndërhyrë në vendimet e saj profesionale.
Burime të tjera pranë tyre theksojnë se ai nuk ka tentuar asnjëherë të ndikojë në rolet që Sydney zgjedh të interpretojë dhe se vazhdon ta mbështesë në projektet e saj artistike./mxh
