Last Updated on 27/05/2026 by EL
PD do jetë partia e seksionit, ndërsa ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD-së ku pritet të miratohen ndryshimet statutore. Në fjalën e tij, ai tha se janë me mijëra demokratët që duan të anëtarësohen në parti, ndërsa do t’i jepet përparësi organizimit territorial dhe angazhimit të strukturave bazë.
“PD, në rrafshin organizativ, do jetë partia e seksionit. Ne jemi parti e territorit, pra ne jemi parti e seksionit. Dhe, përparësi absolute në piramidën e saj merr themeli, i cili është seksioni. Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Nënkupton zhdukjen e çdo barriere që pengon anëtarësimet e reja. Nënkupton hapjen e dyerve në nivel seksioni dhe në të gjitha nivelet për prurje të reja, angazhime të reja. Ju garantoj se janë me mijëra e mijëra demokrate e demokratë që të gatshëm të anëtarësohen dhe të marrin përgjegjësi, por që nuk u ofrohet kjo mundësi. Nuk u ofrohet ky mjedis”.
Ai u bëri apel demokratëve që të lënë mënjanë inercinë dhe apatinë dhe të shfrytëzojnë me eficencë të gjitha potencialet.
“E kam theksuar dhe e theksoj, sëmundja e opozitarizmit është inercia, është apatia. Dhe kjo sëmundje bën që të tregohemi indiferentë ndaj këtij procesi që është jetik për PD-në. PD sot më shumë se kurrë ka nevojë për eficencë. Eficencën e çdonjërit prej drejtuesve, prej anëtarëve të saj. Ka nevojë për treguesit e matjes së kësaj eficencë në mënyrë që potencialet e saj të shfrytëzohen në shkallë maksimale. PD ka jetik shfrytëzimin e çdo potenciali që ofron digjitalizimi dhe urtësia artificiale në mënyrë që ne të mund të shumëfishojmë fuqinë tonë, aftësitë tona. Programi i saj apo vizioni i saj është absolutisht më i miri që ekziston. Por ne kemi fatin e madh dhe privilegjin e veçantë që programin e kësaj partie ta konsultojë, ta shqyrtojmë dhe rishqyrtojmë më të mirët që ekzistojnë sot në Europë dhe në SHBA”./ET
