Last Updated on 28/05/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video për të përkujtuar 26 majin e vitit 1996, një datë që lidhet me zgjedhjet parlamentare të asaj kohe dhe tensionet politike që shoqëruan Shqipërinë në vitet e tranzicionit.
Në videon e shpërndarë, Rama sjell pamje krahasuese mes Shqipërisë së vitit 1996 dhe Shqipërisë së sotme, duke vënë theksin te ndryshimet dhe zhvillimet që vendi ka përjetuar gjatë afro tre dekadave të fundit.
“Shqipëria e 1996, dhe ku është Shqipëria sot! Dhe me një datë që flet për dy botë, ju uroj një ditë të mbarë!”, shkruan kryeministri krahas videos së publikuar.
26 maji 1996 konsiderohet një nga momentet më të debatueshme të politikës shqiptare pas rënies së komunizmit. Zgjedhjet parlamentare të asaj kohe u shoqëruan me akuza për manipulim, tensione politike dhe protesta të opozitës, duke lënë gjurmë në historinë e tranzicionit demokratik të vendit.
Përmes videos, Rama sjell në vëmendje kontrastin mes Shqipërisë së viteve ’90 dhe realitetit aktual, ndërsa vendi vijon rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Europian./A.D
