Last Updated on 28/05/2026 by EL
Nga Sejdin Cekani
Ka një mënyrë tejet të thjeshtë për të kuptuar se sa humane është një shoqëri: të shohësh si i trajton fëmijët dhe të moshuarit.
Nëpër qytetet tona mjafton një shëtitje e shkurtër për të kuptuar të vërtetën e hidhur se fëmijët dhe pleqtë në Shqipëri janë lënë në mëshirë të fatit. Për ta nuk ka parqe, nuk ka lulishte, nuk ka stola, nuk ka kënde lojërash. Mbi të gjitha, nuk ka hapësira ku një fëmijë të vrapojë i lirë apo ku një i moshuar të ecë i qetë, pa frikë dhe pa ndjesinë se është i tepërt në këtë botë që ecën dhe zhvillohet me shpejtësi marramendëse.
Kudo në Tiranë, fëmijët enden rrugëve, mes makinave, zhurmës, pluhurit dhe betonit. Ata luajnë në trotuare, aty ku çdo çast mund të sjellë rrezik për ta, sepse kalojnë makina me shpejtësi, motorë pa kontroll apo dhe qen të lëshuar rrugëve. Kësisoj shëtitjet apo loja e tyre e pafajshme kthehen në makth.
Dikur kishte oborre pallatesh. Kishte zëra fëmijësh, topa që përplaseshin në mure dhe të qeshura që mbushnin lagjet. Sot ato hapësira i ka përpirë babëzia për fitime. Në vend të pemëve u ngritën kulla dhe në vend të këndeve të lojërave u hapën parkime. Për turpin tonë, në vend të fëmijërisë, vogëlushëve po u “dhurojmë” vetminë.
Ndërkaq, të moshuarit, ata që dikur mbajtën mbi supe jetën dhe sakrificat e këtij vendi, sot ecin kuturu e si të përhumbur nëpër qytet. Ata nuk kanë ku të shëtisin e ku të pushojnë. Për ta nuk mund të gjendet një stol ku të ulen e të flasin për jetën, për kujtimet apo thjesht për të kaluar pak orë larg vetmisë. Shpesh i sheh të ulur nëpër kafene për orë të tëra, por jo sepse përherë e kanë mundësinë e një kafeje, po ngase nuk kanë një vend tjetër ku të ndihen si njerëz.
Qytetet tona janë bërë të ftohta dhe aspak miqësore për ta, për të mos thënë se janë bërë të pashpirta.
Dhe ndoshta drama më e madhe është se sikur jemi mësuar me këtë realitet – mungesën e kujdesit. Kemi filluar ta marrim për të zakonshme që fëmijët të rriten pa hapësira loje dhe pleqtë të plaken në vetmi.
Por, ndërkaq, është e papranueshme që një shoqëri të ndërtojë gjithçka, përveç vendeve ku njerëzit të jetojnë ashtu si e meritojnë. Nuk është normale që më të pambrojturit të mos kenë asnjë “kordon” mbrojtës nga shteti e nga komuniteti.
Fëmijët dhe të moshuarit janë dy skajet më të ndjeshme të jetës njerëzore. Njëri sapo hyn në jetë dhe tjetri nis e largohet ngadalë prej saj. Të dy kanë nevojë për kujdes, për siguri dhe për dashuri. Por ne duket sikur e kemi humbur aftësinë për ta parë dhe për ta vlerësuar me ndjeshmëri njerëzoren.
Kujdesi i munguar për ta fillon që nga sistemi shëndetësor pa standarde, pensionet e pamjaftueshme, mungesa e shërbimeve sociale dhe deri te mënyra si ndërtohen qytetet tona. Tanimë ato janë kthyer në vendbanime pa frymëmarrje e gjelbërim, pa vende ku jeta të ketë kuptim për një fëmijë apo për një plak.
Në romanin “Një burrë”, shkrimtarja Oriana Fallaci sjell një meditim të dhimbshëm për të drejtat e fëmijëve dhe të pleqve. Përmes zërit të personazhit kryesor, Aleksandër Panagulisit, ajo thotë: “Politikanëve nuk u bëhet vonë për fëmijët dhe pleqtë…”
Dhe kjo fjali tingëllon tejet aktuale për realitetin tonë të sotëm. Politika jonë flet për zhvillim, por harron njeriun, flet për turizëm dhe ekonomi, por harron jetën. Po ashtu, ajo flet edhe për të ardhmen, por harron fëmijët. Flet edhe për respekt, por harron të moshuarit.
Kur një shoqëri nuk kujdeset për fëmijët, ajo vret të ardhmen e saj. Ndërsa, kur nuk respekton të moshuarit, ajo mohon kujtesën e saj.
Prandaj nuk mjafton vetëm të ankohemi, por të reagojmë e të kërkojmë qytete më njerëzore, ku të ketë sa më shumë parqe dhe hapësira publike, por edhe siguri për fëmijët dhe më shumë dinjitet për të moshuarit. Duhet të kuptojmë se kujdesi për ta nuk është luks, por detyrim qytetar dhe moral.
Sepse, një ditë, të gjithë kemi qenë fëmijë.
Dhe, nëse jeta na e fal këtë privilegj, të gjithë do të plakemi.
