Rusia ka hedhur poshtë akuzat e vendeve europiane se po ndërhyn në sinjalet GPS në territorin e Europës, duke kërkuar prova konkrete për pretendimet ndaj Moskës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi këtë të enjte se vendet e Bashkimit Europian duhet të paraqesin “të paktën disa prova” për akuzat se Rusia po bllokon apo pengon funksionimin e sistemeve GPS në Europë.
Sipas saj, deri më tani bëhet fjalë vetëm për deklarata pa fakte të verifikueshme dhe pretendimet nuk mund të pranohen si të mirëqena.
Deklarata vjen pasi disa vende europiane kanë ngritur shqetësime për ndërhyrje të mundshme në sinjalet satelitore, që sipas tyre mund të ndikojnë në navigimin ajror dhe sisteme të tjera kritike të komunikimit.
Moska i ka mohuar vazhdimisht akuzat për sulme hibride apo ndërhyrje teknologjike ndaj vendeve perëndimore, ndërsa tensionet mes Rusisë dhe Europës vijojnë të mbeten të larta për shkak të luftës në Ukrainë./mxh
