Victoria Beckham ka folur hapur për raportin e saj me punën, duke treguar se nuk e sheh veten larg karrierës dhe se angazhimi profesional vazhdon të jetë një pjesë thelbësore e jetës së saj.
Në një intervistë të fundit për “The Times”, stilistja e njohur dhe ish-anëtarja e Spice Girls u shpreh se ideja e pensionimit nuk i kalon aspak në mendje.
“E dua shumë atë që bëj dhe mezi pres çdo ditë të punoj me ekipin tim. Nuk jam gati të ndalem”, u shpreh ajo.
Victoria tregoi se të qenit aktive e motivon vazhdimisht dhe se nuk do ta imagjinonte dot një jetë pa projekte apo sfida të reja. Sipas saj, puna ka qenë gjithmonë një mënyrë për të dhënë shembull edhe për katër fëmijët e saj.
Ajo theksoi se si ajo, ashtu edhe David Beckham, janë munduar t’u transmetojnë fëmijëve vlerën e disiplinës dhe përkushtimit ndaj asaj që duan të bëjnë në jetë.
Përveç suksesit në modë, Beckham foli edhe për periudhën më të vështirë të markës së saj, të cilën e zbuloi më herët edhe në dokumentarin e Netflix.
Stilistja pranoi se kompania e saj kaloi një krizë të thellë financiare dhe se për një periudhë ndjeu sikur gjithçka po shembej.
“Ishte një kohë shumë e errët. Çdo ditë dukej si një betejë e re”, rrëfeu ajo.
Sipas Victoria-s, biznesi po përballej me humbje të mëdha financiare dhe presioni emocional ishte bërë tepër i rëndë për t’u përballuar vetëm. Në atë periudhë, mbështetja e David Beckham rezultoi vendimtare, jo vetëm si bashkëshort, por edhe si partner në vendimmarrje.
Ajo tregoi se ndryshimi i madh erdhi pasi bashkëpunoi me sipërmarrësin David Belhassen, i cili e ndihmoi të ristrukturonte kompaninë dhe të rikthente kontrollin mbi biznesin.
Victoria pranoi gjithashtu se kishte ardhur një moment kur askush nuk guxonte t’i kundërshtonte idetë e saj, gjë që sipas saj ndikoi negativisht në drejtimin e markës.
“E kuptova që duhej të ndryshoja shumë gjëra dhe të rifitoja fokusin”, tha ajo./mxh
