Temperaturat e larta dhe lagështia e ajrit e lodhin organizmin më shumë seç mendoni. Ekspertët tregojnë si të ushtroheni, të hidratoheni dhe të shmangni dehidratimin, marramendjen dhe problemet gjatë ditëve të nxehta
Aktiviteti fizik nuk duhet të ndërpritet as gjatë pranverës së vonë dhe verës, por ndryshimet e temperaturës kërkojnë kujdes më të madh. Kur temperaturat rriten, organizmi lodhet më shumë për të ruajtur temperaturën normale të trupit, ndaj edhe aktivitetet e zakonshme mund të bëhen më të vështira.
Si reagon trupi ndaj të nxehtit?
Temperaturat e larta zgjerojnë enët e gjakut, gjë që mund të çojë më lehtë në rënie të tensionit, sheqerit në gjak dhe energjisë, ndërsa rritet rreziku nga dehidratimi. Trupi ftohet përmes djersitjes, por kur ajri është i lagësht, djersa avullon më ngadalë dhe organizmi e ka më të vështirë të lirojë nxehtësinë e tepërt.
Hidratimi është baza e çdo aktiviteti veror
Pini ujë rregullisht gjatë ditës, por mos e teproni duke pirë sasi të mëdha përnjëherë. Më mirë është të pini nga pak, në intervale të rregullta, sidomos gjatë pauzave.
Pas aktivitetit mund të pini pak më shumë, por pa e tepruar. Një tregues i thjeshtë i hidratimit është ngjyra e urinës: ngjyra e verdhë e çelët zakonisht tregon hidratim të mirë, ndërsa ngjyra më e errët mund të jetë shenjë se trupi ka nevojë për më shumë lëngje.
Ndihmojnë edhe ushqimet e pasura me ujë dhe minerale, si molla, portokalli, shalqiri, selinoja dhe karota.
As pak, as tepër ujë
Edhe pse gjatë verës theksohet rëndësia e hidratimit, pirja e tepërt e ujit në kohë të shkurtër mund të prishë ekuilibrin e elektroliteve dhe të ulë nivelin e natriumit në gjak, gjendje e njohur si hiponatremi.
Pijet energjike, pijet sportive dhe lëngjet e ëmbëlsuara duhen përdorur me kujdes, sepse shpesh përmbajnë shumë sheqer dhe kalori. Për shumicën e njerëzve që ushtrojnë në mënyrë rekreative, uji është i mjaftueshëm, transmeton Telegrafi.
Ulni ritmin derisa trupi të mësohet me vapën
Temperaturat e larta janë stres shtesë për organizmin. Prandaj, nuk këshillohet të vazhdoni me të njëjtin intensitet si në pranverë apo vjeshtë. Nëse vraponi, ditët e para të vapës zëvendësojeni vrapimin me ecje më të shpejtë ose me distanca më të shkurtra. Nëse ecni çdo ditë, ngadalësoni ritmin dhe bëni pauza më të shpeshta.
Personat me sëmundje kronike ose ata që përdorin terapi të rregullt duhet të këshillohen me mjekun për mënyrën më të sigurt të ushtrimit gjatë temperaturave të larta.
Zgjidhni kohën e duhur për aktivitet fizik
Gjatë verës, aktivitetet në natyrë është më mirë të bëhen herët në mëngjes ose në mbrëmje, pas perëndimit të diellit. Periudha nga paraditja e vonë deri në orët e para të mbrëmjes zakonisht sjell ngarkesën më të madhe të nxehtësisë dhe duhet shmangur.
Noti, akua-fitnesi dhe aktivitetet në ujë janë zgjedhje të mira gjatë verës, por edhe atëherë duhet shmangur ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj diellit të fortë.
Veshja ka shumë rëndësi
Rrobat e lehta, të gjera, me ngjyra të çelëta dhe materiale që lejojnë qarkullimin e ajrit ndihmojnë trupin të ftohet më lehtë. Ngjyrat e errëta dhe materialet që mbajnë nxehtësinë mund ta bëjnë aktivitetin më të rëndë.
Dëgjoni sinjalet e trupit
Gjatë vapës, mos i injoroni shenjat paralajmëruese. Nëse ndjeni dobësi, marramendje, dhimbje koke, ngërçe muskulore, të përziera, të vjella, rrahje të shpejta të zemrës ose të dridhura në lëkurë pavarësisht të nxehtit, ulni menjëherë intensitetin ose ndërpriteni aktivitetin.
Në ditët me temperatura shumë të larta, është krejtësisht e arsyeshme ta shkurtoni stërvitjen ose ta zhvendosni në një hapësirë të freskët. Edhe një aktivitet i shkurtër në shtëpi, si ushtrime force, zgjatje muskujsh ose një plank në ditë, mund të ndihmojë në ruajtjen e ritmit dhe kondicionit gjatë valës së të nxehtit. /et

