Jose Mourinho është shumë pranë rikthimit në stolin e Real Madridit, ndërsa raportohet se marrëveshja mes palëve tashmë është arritur dhe mbeten vetëm procedurat finale përpara njoftimit zyrtar.
Sipas raportimeve të fundit, trajneri portugez ka firmosur kontratën me klubin madrilen. Dokumenti parashikon një bashkëpunim deri më 30 qershor 2028, me opsion rinovimi edhe për një sezon shtesë deri në vitin 2029. Për Mourinhon do të ishte rikthimi i dytë në drejtimin e “Los Blancos”, pas eksperiencës së tij të parë në Madrid disa vite më parë.
63-vjeçari pritet të përfitojë një pagë prej rreth 10 milionë eurosh në sezon. Në të njëjtën kohë, ai po punon për mbylljen e marrëdhënies kontraktuale me Benficën, klub nga i cili duhet të largohet përpara se të zyrtarizohet nga Reali.
Megjithëse marrëveshja mes palëve konsiderohet e përfunduar, ekziston ende një hap formal që duhet të plotësohet. Zyrtarizimi i Mourinhos lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet presidenciale të klubit madrilen, të planifikuara për më 7 qershor. Florentino Perez, aktualisht president i Real Madridit, është mbështetësi kryesor i rikthimit të teknikut portugez dhe pritet të fitojë sërish mandatin./mxh
