Një studim i ri ndërkombëtar ka zbuluar se pemët mund të reduktojnë pothuajse përgjysmë efektin e njohur si “ishulli i nxehtësisë urbane”, fenomen që i bën qytetet më të nxehta se zonat rurale përreth.
Sipas studiuesve, qytetet dhe qytezat janë zakonisht 1 deri në 3 gradë Celsius më të nxehta se zonat përreth, ndërsa në disa raste diferenca mund të arrijë deri në 7 gradë Celsius. Kjo ndodh sepse sipërfaqet si asfalti, betoni dhe tullat thithin nxehtësinë gjatë ditës dhe e lëshojnë atë gradualisht.
Për të kuptuar rolin e pemëve në zbutjen e këtij fenomeni, studiuesit analizuan të dhëna nga afro 9 mijë qytete në mbarë botën, ku jetojnë rreth 3.6 miliardë njerëz. Rezultatet tregojnë se pemët reduktojnë mesatarisht me gati 50 për qind efektin e ishullit të nxehtësisë urbane, duke ulur temperaturën e ajrit me rreth 0.5 deri në 1.5 gradë Celsius në shumë qytete.
Pemët veprojnë si “kondicionerë natyralë”, duke krijuar hije dhe duke ftohur ajrin përmes procesit të transpirimit, gjatë të cilit ato lëshojnë avuj uji nga gjethet. Kjo ndihmon në uljen e temperaturave, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta të verës.
Megjithatë, studimi evidenton edhe një problem të rëndësishëm: pemët nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë. Lagjet më të pasura dhe zonat periferike kanë zakonisht më shumë gjelbërim, ndërsa zonat me të ardhura të ulëta dhe rajonet me zhvillim të shpejtë kanë më pak pemë dhe përballen me temperatura më të larta.
Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, lagjet me të ardhura të ulëta kanë mesatarisht 15 për qind më pak pemë dhe janë rreth 1.5 gradë Celsius më të nxehta se lagjet më të pasura.
Ekspertët paralajmërojnë se, megjithëse mbjellja e pemëve është një masë efektive dhe me përfitime të shumta për mjedisin dhe shëndetin publik, ajo nuk mund të zgjidhë e vetme problemin e ngrohjes globale. Sipas vlerësimeve, pemët aktuale urbane do të kompensonin vetëm rreth 10 për qind të ngrohjes shtesë të parashikuar deri në mesin e këtij shekulli, ndërsa me programe ambicioze mbjelljeje kjo shifër mund të arrijë në 20 për qind.
Studiuesit rekomandojnë që qytetet të kombinojnë mbjelljen e pemëve me masa të tjera, si përdorimi i materialeve reflektuese, zgjerimi i hapësirave të gjelbra, krijimi i çative të gjelbra dhe përmirësimi i qarkullimit të ajrit ndërmjet ndërtesave.
Sipas tyre, pemët mbeten një nga armët më të rëndësishme për të luftuar nxehtësinë urbane, por përballja me ndryshimet klimatike kërkon edhe uljen e emetimeve të gazrave serrë dhe politika më të gjera mjedisore./kb
