Në këtë 1 qershor, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka ndërmarrë një hap për sigurinë e të miturve, duke publikuar udhëzuesin “Për mbrojtjen e të dhënave personale të të miturve”. Në një kohë kur teknologjia është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së fëmijëve, ky dokument vjen si një përgjigje ndaj nevojës për një kulturë më të lartë të sigurisë në internet.
Udhëzuesi, i hartuar në zbatim të ligjit nr. 124/2024, shërben si një instrument praktik që shpjegon në mënyrë të thjeshtë të drejtat themelore të fëmijëve si subjekte të të dhënave, përfshirë të drejtën për akses, korrigjim, fshirje dhe atë për t’u harruar. Përmes një gjuhe të përshtatur për moshën, dokumenti ofron këshilla konkrete për krijimin e fjalëkalimeve të forta, menaxhimin e privatësisë në rrjetet sociale dhe kujdesin ndaj shpërndarjes së fotografive apo informacionit personal.
Pjesë e rëndësishme e materialit është edhe trajtimi i rreziqeve bashkëkohore, si bullizmi kibernetik, mashtrimet online dhe përpjekjet për profilizimin e të miturve për qëllime marketingu. Përveç udhëzimeve mbi mënyrat e reagimit në rast të cenimit të privatësisë, dokumenti nënvizon rolin thelbësor të prindërve dhe mësuesve në monitorimin dhe mbështetjen e fëmijëve për të krijuar një mjedis sa më të sigurt.Udhëzuesi i plotë tashmë është në dispozicion të publikut në faqen zyrtare të institucionit/kb
