Marina Franceze sekuestroi një tjetër anije cisternë ruse nafte, gjatë një operacioni të kryer në det të hapur në Atlantik “me mbështetjen e disa partnerëve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar”.
Presidenti Emmanuel Macron njoftoi incidentin sot në një postim në X. “Është e papranueshme”, shkroi ai, “që anijet të shmangin sanksionet ndërkombëtare, të shkelin ligjin detar dhe të financojnë luftën që Rusia ka zhvilluar kundër Ukrainës për më shumë se katër vjet”, shkruan presidenti francez në një postim të shoqëruar me imazhe të sekuestrimit.
Ky është operacioni i katërt i tillë i kryer nga Franca, e cila është e angazhuar në luftën kundër flotës në hije të Rusisë. Por, i furishëm ishte reagimi nga Kremlini.
“Ne i konsiderojmë veprime të tilla si të paligjshme, ato kufizohen me piraterinë ndërkombëtare. Ne nuk pajtohemi fuqimisht që ato po kryhen në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Siç e dini, Rusia po merr një sërë masash për të garantuar sigurinë e ngarkesave të saj dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, duke marrë parasysh këtë përvojë negative”, tha Peskov, zëdhënësi i Kremlinit.
Anija ruse cisternë nafte që Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi sot se ishte kapur në ujërat e Atlantikut quhet Tagor dhe kapiteni i saj është rus. Ambasada ruse në Paris e sqaroi këtë detaj. Ndërkohë, lufta mes Ukrainës dhe Rusisë nuk ka ndalur.
Kievi lajmëron 3 të vdekur dhe 60 të plagosur në sulme në të gjithë vendin, ndërsa edhe Moska pretendon se ka pësuar akte lufte. Rusia lëshoi një numër rekord dronësh me rreze të gjatë veprimi kundër Ukrainës në maj, sipas një analize të AFP-së të të dhënave të përditshme të Forcave Ajrore të Ukrainës. Analiza zbuloi se Rusia lëshoi 8150 dronë me rreze të gjatë veprimi dhe mbi 200 raketa gjatë muajit, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur një muaj më parë.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një intervistë ekskluzive me CBS Neës se qeveria e tij ka prova se Rusia rrëmbeu fëmijë ukrainas dhe i stërviti ata për të luftuar kundër ukrainasve të tjerë. Kjo është një akuzë që Gjykata Ndërkombëtare Penale e ka vendosur se mund të përbëjë një krim lufte. /et
