Një studim britanik po sjell shpresë për gratë me kancer të gjirit, duke përdorur teste të ADN-së për të përcaktuar nevojat dhe karakteristikat individuale të çdo pacienteje. Qëllimi është të shmanget kimioterapia në rastet kur ajo nuk sjell përfitim real, por vetëm efekte anësore të rënda.
Edhe pse kimioterapia shpëton jetë, ajo shoqërohet me pasoja serioze dhe rreziqe afatgjata. Një studim i ri, i prezantuar në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike në Çikago, tregon se një test gjenetik i tumorit mund të ndihmojë që rreth dy të tretat e pacienteve me kancer të gjirit të shmangin në mënyrë të sigurt kimioterapinë, pa rritur ndjeshëm rrezikun e rikthimit të sëmundjes.
Sipas profesorit Justin Stebbing, në një artikull të botuar në revistën shkencore The Conversation, kjo metodë përdor një test që mat aktivitetin e një grupi gjenesh brenda tumorit. Në vend që të vlerësohet kanceri vetëm në mikroskop, analiza depërton në nivelin gjenetik dhe tregon sa aktive janë disa gjene të lidhura me sëmundjen. Nga këto të dhëna krijohet një vlerësim për agresivitetin e tumorit dhe rrezikun e rikthimit të tij pas trajtimit standard.
Ky vlerësim u mundëson mjekëve të vendosin më saktë për trajtimin: nëse kanceri rezulton më pak agresiv, mjaftojnë kirurgjia, radioterapia dhe terapia hormonale, pa nevojën e kimioterapisë. Në rastet me rrezik më të lartë, kimioterapia rekomandohet pasi mund të jetë vendimtare për trajtimin.
Në këtë mënyrë, testi ndihmon të dallohen pacientet që përfitojnë realisht nga kimioterapia nga ato për të cilat trajtimi nuk sjell përfitim shtesë, por vetëm efekte anësore të rënda, thekson Stebbing.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm përpara, pasi bazohet në një studim të madh klinik. Për pacientet me kancer të hershëm të gjirit, rezultatet tregojnë se më shumë se dy të tretat e atyre që tradicionalisht do të konsideroheshin me rrezik të lartë, mund të shmangin kimioterapinë në mënyrë të sigurt nëse testi gjenetik tregon rrezik të ulët, pa ndikuar në mbrojtjen kundër rikthimit të sëmundjes.
Kjo do të thotë më pak gra përballen me efekte si rënia e flokëve, të përzierat, lodhja, infeksionet, menopauza e parakohshme, infertiliteti dhe dëmtimet afatgjata në zemër apo sistemin nervor, kur kimioterapia në të vërtetë nuk do të sillte përfitim.
Studimi u realizua nga kërkues në University College London dhe disa qendra të tjera onkologjike në Britani. Ai u fokusua te pacientet me kancer të hershëm të gjirit të ndikuar nga hormonet (jo nga HER2), të cilat zakonisht vlerësohen për kimioterapi bazuar në madhësinë e tumorit dhe përhapjen e tij.
Në studim morën pjesë mbi 4,400 paciente mbi moshën 40 vjeç, të ndara rastësisht në dy grupe: një grup me trajtim standard dhe një grup ku vendimet udhëhiqeshin nga testi gjenetik. Ato u ndoqën për disa vite për të vlerësuar rikthimin e sëmundjes dhe mbijetesën pa kancer.
Testi gjenetik Prosigna nuk është i ri dhe tashmë përdoret në disa qendra mjekësore, por kjo është një nga studimet më të mëdha që konfirmon sigurinë e përdorimit të tij për të udhëhequr vendimet mbi kimioterapinë në praktikën reale klinike./a.d
