Policia e New York-ut ka nisur një hetim për një fenomen të pazakontë që po shqetëson autoritetet dhe banorët: grupe personash që shfaqen duke dalë nga pusetat e kanalizimeve në zona të ndryshme të qytetit, gjatë orëve të natës.
Rasti ka marrë vëmendje pas publikimit të disa videove në rrjetet sociale, ku shihen individë që dalin nga sistemi i kanalizimeve dhe më pas largohen pa lënë gjurmë.
Në një deklaratë për mediat, Departamenti i Policisë së New York-ut bëri të ditur se njësitë speciale të emergjencës kanë kryer kontrolle të detajuara në rrjetin e kanalizimeve për të verifikuar nëse ka ndonjë rrezik për publikun.
“Oficerët tanë hynë në sistem për t’u siguruar që nuk ishte lënë asgjë e dyshimtë apo e rrezikshme, por nuk u gjet asgjë”, thuhet në deklaratë.
Edhe Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit, që administron kanalizimet e qytetit, konfirmoi se nuk janë konstatuar dëmtime në infrastrukturë.
Sipas një zyrtari të lartë të rendit, një nga pistat që po hetohet është se këta persona mund të jenë duke kërkuar sende me vlerë që përfundojnë në rrjetin e ujërave të zeza.
Rastet e raportuara
Ngjarja e parë u raportua të enjten e kaluar rreth orës 23:00 në zonën Gravesend, Brooklyn, ku një dëshmitar pa tetë persona duke hapur një pusetë dhe duke hyrë brenda. Ata u panë sërish rreth tre orë më vonë, teksa dilnin nga kanalizimet dhe ndërronin rrobat pranë makinave të parkuara.
Vetëm dy orë më pas, një tjetër grup u raportua në Williamsburg, po në Brooklyn. Sipas autoriteteve, personat dolën nga puseta pas më shumë se dy orësh e gjysmë dhe u larguan me makinë.
Një video e publikuar në rrjet tregon shtatë persona që dalin nga puseta, ndërsa i fundit mbyll kapakun me kujdes pas tyre.
Një incident i ngjashëm ishte raportuar edhe më 5 maj në Astoria, Queens, ku banorët panë disa persona që hynin në kanalizime në orët e para të mëngjesit.
Një dëshmitar e përshkroi skenën si “të denjë për filma”, duke thënë se personat “hynë në pus si ‘Ninja Turtles’”.
Ende pa përgjigje
Pavarësisht hetimeve, autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse këto raste janë të lidhura mes tyre apo nëse bëhet fjalë për aktivitete të organizuara.
Ndërkohë, misteri i “njerëzve të kanalizimeve” vazhdon të mbetet i pazgjidhur, duke shtuar pikëpyetje mbi atë që ndodh realisht nën rrugët e një prej qyteteve më të mëdha në botë./mxh
