Nga Leonard Veizi
Të shumtë janë ata që kërkojnë të bëjnë një punë në perfeksion. Ashtu siç ka dhe shumë të tjerë që as e mendojnë një gjë të tillë dhe jetojnë më të lirshëm dhe pa trysninë që u jep vetvetja.
Në një botë të mbushur me standarde gjithnjë e më të larta dhe pritshmëri të pafundme, ideali i perfeksionit na ndjek kudo që shkojmë. Nga rrjetet sociale e deri te karriera, nga jeta personale te marrëdhëniet, duket sikur çdo hap që hedhim është në ndjekje të diçkaje të përkryer. Por a është perfeksioni vërtet i arritshëm, apo thjesht një iluzion që na bën të ndiejmë pamjaftueshmëri?
-Ne duam qe të ngrihen dy pallate pesë katëshe dhe të suvatohen.
-Ju kërkoni që këtu çdo gjë të jetë e përsosur
-Përse të mos jetë e përsosur inxhinier. Ky breg e nisi jetën në vitin 1973. Erdhën vullnetarë nga e gjithë Shqipëria dhe ja, u ngrit qyteza…
Batutat janë marrë nga filmi “Dritat e qytezës” ku pretendohej që Ksamili të bëhej një qytet i përsosur. Në fakt ca vite më vonë Ksamili do të rrafshohej krejt nga tarracat e agrumeve. Kishte një farë përsosmërie por u kthye në tokë të djegur.
Iku përsosmëria. Apo perfeksioni…, merreni si të doni, sinonime janë.
Perfeksioni shpesh paraqitet si një destinacion final, një pikë ku gjithçka është e rregullt dhe pa gabime. Por realiteti është se nuk ka asgjë që është absolutisht perfekte. Edhe arritjet më të mëdha dhe momentet më të lumtura kanë nuanca papërsosmërish. Ideja se duhet të arrijmë një standard të përcaktuar nga të tjerët apo nga ne vetë mund të jetë e dëmshme, pasi ky standard nuk ekziston në realitet. Ai është një koncept abstrakt, i paqëndrueshëm dhe shpesh i pamundur për të arritur.
Botëkuptimi për perfeksionin ndryshon nga individi në individ. Ajo që për një person mund të duket perfekte, për një tjetër mund të mos jetë e tillë apo të jetë larg kësaj. Kjo tregon se perfeksioni nuk është një standard objektiv, por një iluzion subjektiv. Ne jemi të ndryshëm, me përvoja dhe perceptime unike, dhe është e padrejtë ndaj vetes të synojmë një perfeksion të papërcaktuar dhe jo universal.
-Si urdhëron zoti Perfekt.
-Idjot. Sa herë të kam thënë Prefekt jo Perfekt.
-Si urdhëron.
Në vend që të ndjekim iluzionin e perfeksionit, duhet të përqendrohemi në rritjen personale dhe zhvillimin. Pranimi i papërsosmërivë është hapi i parë drejt vetë-përmirësimit të vërtetë. Gabimet dhe sfidat janë pjesë e pandashme e procesit të mësimit dhe rritjes. Ato na formojnë, na mësojnë dhe na ndihmojnë të bëhemi më të fortë dhe më të vetëdijshëm.
Në fund të fundit, bukuria e jetës qëndron pikërisht në papërsosmëritë e saj. Duke pranuar se perfeksioni është një iluzion, ne mund të fillojmë të jetojmë më të lirë dhe më të qetë. Mund të përqendrohemi në të tashmen, të vlerësojmë arritjet tona, sado të vogla, dhe të përqafojmë jetën dhe njerëzit ashtu siç janë, jo ashtu siç mendojmë se duhet të jenë.
Pra, le të çlirohemi nga prangat e perfeksionit dhe të përqafojmë papërsosmëritë tona. Sepse, në fund të fundit, jeta është e bukur pikërisht për shkak të papërsosmërisë së saj.
