Last Updated on 03/06/2026 by Kesjana
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Diego Cerdeiro, në kuadër të vizitës së stafit të FMN-së në Tiranë.
Siç bëhet me dije, Sejko prezantoi gjatë takimit të gjitha zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare të vendit, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë qëndrueshmëri, me rritje të punësimit dhe pagave, ndërsa treguesit kryesorë ekonomikë e financiarë kanë ardhur në përmirësim.
“Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar, duke ndjekur një politikë monetare të kujdesshme dhe të bazuar në analizën e vazhdueshme të zhvillimeve ekonomike”,-nënvizoi Sejko.
Nga ana tjetër, stafi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ndau një vlerësim mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare, ndërsa riafirmoi mbështetjen për politikat që garantojnë stabilitetin makroekonomik të vendit./kb
