Tensione të forta kanë përfshirë Parlamentin britanik, ku deputetët u përplasën verbalisht gjatë një debati mbi reagimin ndaj vrasjes së studentit Henry Nowak, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar.
Debati u ndez kur lideri i partisë Reform UK, Nigel Farage, foli për protestat e dhunshme që shpërthyen në Southampton, duke paralajmëruar se zemërimi publik mund të përshkallëzohet nëse qytetarët humbasin besimin te trajtimi i drejtë nga policia.
Deklaratat e tij u pritën me reagime të ashpra nga deputetët e partive të tjera, të cilët e akuzuan për nxitje të tensioneve. Gjatë fjalës së Farage, në sallë u dëgjuan thirrje si “nxitës” dhe “turp”.
Kryeministri britanik Keir Starmer iu kundërpërgjigj drejtpërdrejt liderit të Reform UK, duke e akuzuar se po përpiqet të shfrytëzojë një tragjedi njerëzore për të krijuar përçarje në shoqëri.
Starmer tha se reagimi i institucioneve duhet të fokusohet te nxjerrja e mësimeve dhe vendosja e drejtësisë, ndërsa sipas tij, thirrjet për zemërim vetëm sa thellojnë ndasitë.
Çështja ka dominuar debatin publik që prej dënimit të autorit të vrasjes së Henry Nowak. Pamjet e publikuara, ku efektivë policie shihen duke mos ndërhyrë menjëherë për t’i ardhur në ndihmë studentit të plagosur rëndë, kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si policia trajton persona me prejardhje të ndryshme etnike.
Familja e viktimës e ka cilësuar trajtimin nga policia si “çnjerëzor dhe degradues”, por njëkohësisht ka bërë thirrje që vdekja e djalit të tyre të mos përdoret për të nxitur urrejtje, tensione apo përçarje të mëtejshme në shoqërinë britanike.
Ngjarja vazhdon të mbetet në qendër të debatit politik dhe publik në Britani, duke rritur presionin ndaj autoriteteve për transparencë dhe përgjegjësi./mxh
