Last Updated on 03/06/2026 by EL
“Sot jemi për ngushëllime. Janë bashkuar dy salla të hotelit Rogner për të sajuar vendin ku dhjetëra njerëz hyjnë dhe dalin. Ilir Meta është në krye, në krahun e djathtë të të ëmës, përballë dyerve që sigurohen nga agjentët.”
Kështu shkruan gazetari Arben Rrozhani, teksa ndan disa momente nga pritjet e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të babait të Presidentit Ilir Meta, Rexhep Meta, i cili dje u përcoll për në banesën e fundit në fshatin e lindjes, Çepan.
“I hequr, i transformuar totalisht, por energjik. Çohet, pret njerëzit dhe ulet, bën shaka, pyet për familjarët, shëndetin, biznesin, jetën. Pastaj i drejtohet sërish Mondit, një burri veshur me bluzë që e ka përballë: U pa puna do të bëjmë një parti të re dhe do ta quajmë “313”, shkruan më tej gazetari.
Arben Rrozhani thotë se sot, në ditën e dytë të lirisë, Ilir Meta nuk ngopet duke folur me njerëzit, madje nuk i mban mëri askujt.
“Meta i pret të gjithë njëlloj: Filip Çakulin, drejtorin e “Fiks Fare”, emisionit që i nxorri videon e “dua 700 mijë” plot 16 vite më parë dhe ai u detyrua të jepte dorëheqjen nga zv/kryeministër. Nuk ka asnjë hatërmbetje dhe Meta e pyet Filipin që ka marrë pamjen e peshkatarit Popeye, por me mjekër, për familjen dhe jetën në përgjithësi nga Tirana në Sarandë. Një ish-zyrtare e LSI-së i sjell një diplomat italian që i shpreh ngushëllimet.
Meta nuk ka të ngopur duke folur me njerëzit, me zë të lartë, i lumtur, pa asnjë drojë. Po shijon në maksimum ditën e dytë të lirisë pas arrestimit banditesk në hyrje të Tiranës në tetor 2024 dhe më pas daljeve turpëruese në gjyq brenda një kafazi qelqi si të ishte kryeterroristi i botës, edhe pse me akuzat që ka mbi shpinë, duheshin kalbur brenda gjithë kryetarët dhe sekretarët e përgjithshëm të partive apo ish-ministra dhe kryetarë bashkish që paguan miliona për të lobuar dhe për të patur mbrojtjen ligjore nga studiot në SHBA.
Dje e çuan me forgon policie në fshatin ku do të prehet i ati, sot e kanë sjellë me leje deri në orën 21:00 për të pritur ngushëllime në një sallë të mbyllur, disa metra larg selisë së qeverisë që e drejtoi në vitet 2000-2001 e si zv.kryeministër në vitet 2009-2010, selisë së Kuvendit ku ishte numri 2 i shtetit në vitet 2013-2017 dhe presidencës ku ishte kryetar shteti në vitet 2017-2022″, rrëfen më tej gazetari Arben Rrozhani./et
