Last Updated on 03/06/2026 by EL
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka ngritur alarmin për aktivitetin e shtuar në rrjetet sociale dhe portalet online lidhur me çështjen e Zvërnecit dhe protestat e zhvilluara në Tiranë.
Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, Karamuço deklaroi se pas zhvillimeve të fundit janë aktivizuar një numër i madh adresash dhe platformash që, sipas tij, synojnë nxitjen e tensioneve dhe destabilizimin e situatës.
“Kërkojnë të nxisin nacionalizmin dhe të ngrenë në këmbë grupe personash apo komunitete të caktuara me qëllime destabilizimi. Gjatë 48 orëve të fundit, në rajon dhe në vendet fqinje, në lidhje me çështje shqiptare janë aktivizuar mbi 1 mijë adresa falso dhe janë hapur portale të reja që fokusohen vetëm te çështjet që lidhen me protestat dhe Shqipërinë në Tiranë”, deklaroi Karamuço.
Sipas ekspertit, përdorimi i llogarive të rreme dhe krijimi i platformave të reja informative janë tregues të përpjekjeve për të amplifikuar debatet dhe për të ndikuar në opinionin publik përmes përmbajtjeve që lidhen me zhvillimet e fundit në vend./et
