Këshilli i Ministrave ka autorizuar Korporatën e Investimeve Shqiptare për koordinimin e procesit të identifikimit dhe konsolidimit të pronës shtetërore me interes për të realizuar projektin e investimit “Hospitality Albania, Vlorë”, që përfshin edhe investime në vilat qeveritare që ndodhen ne qytetin bregdetar.
Lidhur me këtë vendim, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh se këto asete do të shfrytëzohen me qëllim fitimin në bashkëpunim me privatin.
“Asetet shtetërore shfrytëzohen me qëllim fitimin në bashkëpunim me privatin, por prona shtetërore nuk i transferohet privatit, por vetëm bashkëpunim menaxhimi. VKM-ja që miratuam i hap rrugën AIC që të diskutojë mbi sipërfaqet e truallit që rrethojnë godinën pasi duke qenë se ka mbivendosje me pronë private, AIC autorizohet që të diskutojë për të qartësuar ku është prona private dhe ajo shtetërore që t’i hapet rruga Hospitality Albania”, tha Ibrahimaj.
Bazuar në VKM, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të lidhet marrëveshja e bashkëpunimit për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, në zbatim të detyrave të këtij vendimi.
V E N D IM
PËR
AUTORIZIMIN E KORPORATËS SË INVESTIMEVE SHQIPTARE PËR KOORDINIMIN E PROCESIT TË IDENTIFIKIMIT DHE KONSOLIDIMIT TË PRONËS SHTETËRORE ME INTERES PËR TË REALIZUAR PROJEKTIN E INVESTIMIT “HOSPITALITY ALBANIA, VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 5, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Korporata e Investimeve Shqiptare, në përputhje me objektivat e saj, me qëllim identifikimin e pronës shtetërore, me interes për të realizuar projektin e investimit “Hospitality Albania, Vlorë”, në zonën kadastrale 8602, ngarkohet për përmbushjen e detyrave të mëposhtme:
a) Të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet procedurale për identifikimin dhe konsolidimin e pronave shtetërore në njësitë strukturore të zonës kadastrale 8602 Vlorë, të përcaktuara në shtojcën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, si më poshtë vijon:
i. Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës të kryejë koordinimin dhe bashkërendimin me institucionet shtetërore, të përfshira në çështjet e pronësisë apo të administrimit të pronave, për dhënien dhe shkëmbimin e informacionit apo të dokumentacionit të kërkuar, në lidhje me të drejtat e pronësisë apo çdo të drejtë tjetër reale, i nevojshëm për një pasqyrim të gjendjes së pronësisë/të drejtave pronësore, caktimin më të saktë të kufijve/sipërfaqeve të pjesës takuese të palës shtet, konsolidimin, nëse është e nevojshme, në kuptim të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, dhe regjistrimin e pronave/të drejtave pronësore, sipas shtojcës nr.1, të këtij vendimi, në regjistrat e pasurive të paluajtshme;
ii. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare të kryejë koordinimin dhe bashkërendimin për shkëmbimin e informacionit apo të dokumentacionit të kërkuar, në lidhje me të drejtat e pronësisë apo çdo të drejtë tjetër reale, i nevojshëm për një pasqyrim të gjendjes së pronësisë/të drejtave pronësore, caktimin më të saktë të kufijve/sipërfaqeve të pjesës takuese të palës shtet;
iii. Në bashkëpunim me subjektet private, të përfshira në marrëdhënien juridike të pronësisë për këto prona me interes për realizimin dhe mirëfunksionimin e projektit të investimit “Hospitality Albania, Vlorë”, të sqarojë dhe të qartësojë statusin e pjesës përkatëse të tyre e të palës shtet, të negociojë, të konsolidojë, të negociojë pozicionimin e secilës pjesë takuese, si dhe ta regjistrojë atë sipas statusit ligjor përkatës;
iv. Të konsolidojë pronat, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës;
v. Të hartojë raportin përmbledhës, në të cilin pasqyrohen realizimet e veprimeve të ndërmarra, në kuadër të përmbushjes së kësaj detyre.
b) Të hartojë dhe të sigurojë, në bashkëpunim me skuadrën fituese të konkursit ndërkombëtar publik, të datës 4.6.2025, konceptin e zhvillimit të zonës urbane në të cilin ndodhet prona shtetërore, me qëllim sigurimin e realizimit të projektit të investimit të përmendur më sipër.
2. Institucionet shtetërore, të përfshira në çështjet e pronësisë apo të administrimit të pronave, sipas parashikimit të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, të paraqesin informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, brenda 5 (pesë) ditëve nga momenti i administrimit të kërkesës së paraqitur me shkrim nga Korporata e Investimeve Shqiptare.
3. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshjen e bashkëpunimit për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, në zbatim të detyrave të këtij vendimi.
4. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit/mirëfunksionimit të projektit të investimit apo përmbushjes së nevojave të partnerit publik përfitues, si dhe të sigurojë regjistrimin, në emër të Republikës së Shqipërisë/Korporatës, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit me institucionin publik përfitues, të pronës së re shtetërore, që do të krijohet në zbatim të detyrave të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./kb
