Last Updated on 04/06/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për projektin turistik në Zvërnec, duke publikuar një mesazh të gjatë që, sipas tij, i ka mbërritur në telefon nga një qytetar vlonjat.
Në postimin e bërë në rrjetet sociale, Rama ka ndarë edhe një video nga zona në fjalë, për të cilën shprehet se tregon “realitetin e trishtë” të territorit që kundërshtarët e projektit kërkojnë të mbetet i pazhvilluar.
“MIRËMËNGJES 🦩 dhe me këtë mesazh të nxjerrë nga telefoni im bashkë me videon e mëposhtme, pasqyrë e qartë e realitetit të trishtë të parajsës që armiqtë e Shqipërisë Europiane, konkurrentët e Shqipërisë Turistike dhe të verbërit e ‘Shqipërisë së shqiptarëve’ duan ta mbajnë tamam kështu si është sot”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, projekti synon të sjellë një investim prej 4 miliardë eurosh që, sipas tij, do ta kthente Vlorën “në beben e syrit të turizmit në këtë anë të botës” dhe Shqipërinë “në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror”.
Në mesazhin e publikuar, qytetari shprehet hapur pro investimit në Zvërnec dhe kritikon ata që kundërshtojnë projektin, duke i akuzuar se po pengojnë zhvillimin ekonomik të zonës.
“Jam vlonjat dhe pro investimit në Zvërnec. Mos ndalo. Behet fjalë fiks për zonën ku njerëz të papërgjegjshëm e kanë katandisur zonën e mbrojtur si mos më keq”, thuhet në mesazh.
Qytetari shton më tej se investimi i paralajmëruar do të sillte zhvillim të madh ekonomik për zonën, ndërsa akuzon kundërshtarët se po përdorin çështjen e mbrojtjes së natyrës për sulme politike ndaj kryeministrit.
Debati për projektin në Zvërnec ka sjellë reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa ambientalistë dhe aktivistë kanë ngritur shqetësime për ndikimin që mund të ketë investimi në zonën e mbrojtur natyrore.
Postimi i plotë:
