Last Updated on 04/06/2026 by Anisa
Përse edhe Sali Berisha është kundër protestës?
Nga Mentor Kikia
Për herë të parë një protestë anti-qeveritare, shndërrohet edhe në anti-opozitare. Ose ndryshe, për herë të parë, një protestë e konteston edhe qeveria edhe opozita. Padyshim që qeveria e kundërshton, sepse një protestë i drejtohet asaj. Por rreshtimi i opozitës në këtë linjë është një surprizë.
Sali Berisha nuk e ka kundërshtuar asnjëherë projektin Sazan-Zvërnec-Pishë Poro- Nartë. Qëkurse u shfaq në skenë Jared Kushner dhe Inavna Tramp, qëndrimi i tij ka qenë i pandryshuar: “Kjo është një çështje private dhe ne nuk kemi pse të ndërhyjmë”.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ai vetëm ka “abstenuar”, ndërsa ka patur një debat publik mbi “transparencën, pronësinë, autorësinë, dimensionin mjedisor etj etj”. Ndoshta ai mban anën e investitorëve të lidhur me familjen Tramp apo thjeshtë sepse është një parti e djathtë dhe mbështet biznesin. Ky është një qëndrim i tij dhe duhet respektuar.
Por tri ditë pas nisjes së protestës, kur në mesin e qytetarëve u panë është deputetë dhe drejtues të PD-së, Berisha doli nga heshtja.
Ai mbrojti investimin, duke thënë se “edhe unë e kam ofruar Sazanin për investime turistike” dhe kjo duket një lloj “burrërie politike”. Berisha nuk sulmoi vetëm kauzën e protestës, por vetë protestën si lëvizje.
Krahu i djathtë i tij, Flamur Noka, i quajti ata marksistë, majtisë, sorosistë që kanë vënë në shënjestër dhe duan të dëmtojnë interesat e familjes Tramp. Nuk besoj se z.Noka i kanë deleguar mbrojtjen e interesave të familjes Tramp në Shqipëri! Ndërsa vetë Berisha sulmoi edhe partitë e vogla që i bashkohen protestës.
Kjo bëri që protesta të stacionohet edhe para selisë së PD-së, duke provokuar reagime agresive, në fjalor, nga ana e demokratëve.
Por, përse një lider politik që ka organizuar protesta më shumë se kushdo tjetër, dhe një parti opozitare, e dëndur me gaz lotsjellës, e rrahur dhe djegur me “Molotov” në protesta ku kërkohet “Dorëheqje qeverisë”, sulmon një protestë qytetare ku kërkohet gjithashtu “Dorëheqje qeverisë”?
Nuk mendoj se është çështja e kauzës. Berisha e mbajti dhe mbrojti qëndrimin e tij dhe kjo është dinjitoze. Nuk mendoj se është fakti që protestuesit thërrasin “Rama n’burg, Berisha n’burg”, por sepse në tri netë, një protestë qytetarësh ishte më e madhe, më produktive në raport me shkundjen e qeverisë, sesa protestat gjashtë mujore, me molotov, të PD-së.
Duket sikur qytetarët ia zbehën protestën PD-së, me gjithë agresivitetin e saj. Ia hoqën “licensën ekskluzive” të markës më të preferuar të të bërit politikë Berishës, që është protesta. Gati gati, duket se PD është tashmë faktor i tretë politik, në raport me forcën dhe ndikimin publik.
Sepse, mungesën e grave më fëmijë dhe “Gjeneratës Z” në protestat e saj, opozita e justifikon me narrativën se “shqiptarët janë tulatur nga frika e presioni, ata nuk kanë më nerv, nuk u bën përshtypje kur i vjedhin e mashtrojnë, etj etj”. Por kjo protestë tregoi se, shqiptarët, edhe në qofshin markiskë-leninistë, majtisë, sorosistë, nazistë apo të gjitha sëbashku, kanë ende nerv.
Kjo tregoi gjithashtu, se Rama trembet më shumë nga gratë me fëmijë në karroca dhe adoleshentët mbështjellë me flamur kombëtar, se sa nga “grupi i Molotovit” që komandohet nga Berisha me flamur kombëtar.
Ndërsa ka për objektiv rrëzimin e qeverisë, duket se protesta tani për tani ka rrëzuar opozitën e PD-së.
