Last Updated on 04/06/2026 by EL
Nga Sejdin Cekani
Kushdo që në këto ditë maji kalon nëpër rrugët “Gjergj Fishta” dhe “Myslym Shyri” në Tiranë, e ndien sakaq se diçka nuk shkon me ajrin e qytetit. Mjafton të ecësh vetëm pak minuta përgjatë trotuareve dhe shikon menjëherë njerëz që teshtijnë pareshtur, fshijnë sytë që u lotojnë, kolliten me ngulm, ndalojnë për të pirë ujë apo për të marrë frymë më lirshëm. Në ajër pluskon pa pushim poleni i rrapeve, ai pushi i imët dhe i bardhë që duket sikur mbulon gjithçka, që nga pemët, makinat, trotuaret, kioskat, vitrinat, madje edhe fytyrat e kalimtarëve.
Pamja të krijon përshtypjen e një qyteti të pushtuar nga mjegulla. Por kjo nuk është mjegull pranverore. Është një ndotje biologjike, e heshtur dhe e përditshme, që po ua vështirëson jetën mijëra qytetarëve.
Më të prekurit prej kësaj ndotjeje janë fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit. Prindërit që shëtisin foshnjat me karroca përgjatë Lanës apo në zemër të Tiranës e ndiejnë menjëherë shqetësimin: fëmijët kolliten, irritohen, u lotojnë sytë, disa kanë vështirësi në frymëmarrje. Nxënësit që dalin nga shkollat aty pranë përballen çdo ditë me të njëjtin makth. Edhe të moshuarit, sidomos ata me probleme frymëmarrjeje apo alergji kronike, e përjetojnë pranverën si një stinë ankthi dhe jo si stinë gjelbërimi dhe çlodhjeje.
Dhe më e keqja është se kjo histori nuk është e re. Ajo vazhdon prej vitesh.
Banorët e pallateve pranë rrugës “Myslym Shyri” tregojnë se shumë prej tyre janë bërë alergjikë kronikë pikërisht nga ekspozimi i përvitshëm ndaj polenit të rrapeve. Ka dhjetëra banorë që, sapo afrohet pranvera, fillojnë mjekimet kundër alergjisë. Të tjerë mbajnë maska për të kaluar vetëm pak minuta në rrugën ku jetojnë. Disa janë detyruar të mbyllin dritaret edhe në ditët më të ngrohta, sepse shtëpitë mbushen me pushin e bardhë të pemëve.
Kjo nuk është më thjesht një bezdi stinore. Është kthyer në një problem të mirëfilltë shëndetësor dhe urban. Pikërisht për këtë arsye banorët janë ankuar vazhdimisht në njësitë bashkiake. Por përgjigjja ka qenë pothuajse gjithmonë heshtja. Ndërkohë, vitet kalojnë dhe problemi vetëm sa rëndohet.
Madje, ironia arriti kulmin kur, disa prej rrapeve të vjetër, të mbjellë që në vitet ’70 të shekullit të kaluar, u rrëzuan nga era dhe u zëvendësuan sërish me rrape të rinj, të ashtuquajtur “rrape kanadezë”. Pra, në vend që të shfrytëzohej rasti për të eksperimentuar me pemë të tjera dekorative e më pak alergjike, Bashkia vendosi të përsëriste të njëjtin gabim. U tha se këta rrape të rinj kanë kurorë më të bukur dhe lëshojnë më pak polen. Por qytetarët që kalojnë çdo ditë aty nuk kanë nevojë për teori eksperimentale botanistësh dështakë. Ata përballen çdo ditë me ajrin e rënduar, me alergjitë që shtohen dhe me shqetësimet e frymëmarrjes, çka janë bërë pjesë e jetës së përditshme.
Natyrisht, askush nuk është kundër gjelbërimit të qytetit. Përkundrazi. Tirana ka nevojë për më shumë pemë, më shumë hije dhe më shumë hapësira të gjelbra. Por gjelbërimi nuk mund të konceptohet si një zbukurim mekanik dhe i verbër, pa marrë parasysh pasojat që sjell për shëndetin publik.
Një pemë nuk është thjesht dekor urban. Ajo është pjesë e ekosistemit të qytetit dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve. Prandaj lind pyetja krejt logjike: a mund të zëvendësohen rrapet me pemë të tjera më të përshtatshme? Me blirë, lisa, gështenja të egra apo specie të tjera dekorative që nuk prodhojnë nivele kaq të larta alergjenësh? Sigurisht që po.
Madje, kjo nuk është vetëm çështje fondesh. Është, mbi të gjitha, çështje filozofie urbane, metodologjie dhe përgjegjshmërie institucionale.
Në një qytet normal, vendimet për gjelbërimin nuk merren vetëm nga administrata që blen fidanët apo nga dikush që zgjedh pemët sipas pamjes estetike. Ato duhet të jenë rezultat i bashkëpunimit mes urbanistëve, botanistëve, specialistëve të mjedisit, mjekëve higjienistë dhe ekspertëve të shëndetit publik.
Sepse qyteti nuk është një poster dekorativ. Qyteti është hapësira ku jetojnë njerëzit.
Dhe kur hallkat e qeverisjes nuk bashkëpunojnë, faturën e paguajnë qytetarët. E paguajnë banorët që jetojnë pranë këtyre rrugëve, bizneset që zhvillojnë veprimtarinë aty, kalimtarët e rastit, fëmijët që dalin nga shkolla, të moshuarit që kërkojnë pak ajër dhe qetësi.
Në Tiranën e sotme flitet shpesh për fasada, për kulla, për projekte moderne dhe për transformime urbane, por qyteti nuk matet vetëm me beton, ndriçim apo trotuare të reja. Qyteti matet edhe me ajrin që thithin banorët e tij. Prandaj dhe është paradoksale që pemët, të cilat duhet të sjellin jetë, freski dhe shëndet, po kthehen në burim shqetësimi dhe sëmundjeje për mijëra njerëz. Bashkia e Tiranës nuk duhet ta trajtojë më këtë problem si një ankesë rutinë lagjeje. Kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt shëndetin publik dhe cilësinë e jetës urbane.
Banorët nuk kërkojnë luks. Nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë vetëm diçka krejt normale: të ecin në rrugën e tyre pa u mbytur nga poleni, pa teshtirë pareshtur, pa u djegur sytë dhe pa u frikësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre.
Kërkojnë të jetojnë në një qytet që është miqësor për ta.
