Last Updated on 05/06/2026 by Anisa
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Kardhiq–Delvinë, në zonën e njohur si Fushë Vërri, në Delvinë.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Si pasojë e përplasjes së fortë, njëri prej mjeteve ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, ndërsa automjeti tjetër, tip Audi, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme.
Bilanci paraprak i ngjarjes është tragjik, pasi një person ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë transportuar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ambulancës dhe zjarrfikëses, të cilat kanë ndërhyrë për dhënien e ndihmës dhe menaxhimin e situatës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa pritet që në vijim të ketë më shumë detaje mbi ngjarjen e rëndë./A.D
