Administrata Tatimore ka nisur verifikimet e dokumentacionit të dorëzuar nga individët që kanë aplikuar për përfitimin e kompensimit pas zbritjes së shpenzimeve deri në vlerën 100 mijë lekë për arsimin e fëmijëve, të deklaruara në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) 2025.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore për Monitor, rreth 2 mijë e 161 individë pritet të përfitojnë kompensim për arsimin e fëmijëve, pasi kanë deklaruar zbritje të shpenzimeve arsimore deri në vlerën maksimale prej 100 mijë lekësh.
Për këtë kategori, përfitues të njohjes së shpenzimeve arsimore janë vetëm individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë. Administrata Tatimore ka nisur procesin e verifikimit të dokumentacionit që justifikon këto shpenzime.
Shuma e kompensimit do të disbursohet në llogaritë bankare të deklaruara gjatë aplikimit në sistemin e-Filing, pas përfundimit të verifikimit të dokumentacionit.
Sipas burimeve nga Administrata Tatimore, procesi i shqyrtimit të kërkesave për këtë kategori do të kërkojë më shumë kohë krahasuar me aplikimet e tjera, pasi nevojitet verifikimi i faturave të fiskalizuara që justifikojnë shpenzimet e deklaruara për arsimimin e fëmijëve.
Kjo kategori individësh, gjatë plotësimit të DIVA-s, përveç zbritjes së shpenzimeve në vlerën 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim, përfitoi edhe zbritjen e shpenzimeve arsimore deri në vlerën 100 mijë lekë.
Këto të fundit duhet të justifikohen me fatura të fiskalizuara. Ndërkohë, zbritja prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim u përfitua nga të gjithë individët që plotësuan dhe dorëzuan DIVA-n, pavarësisht nivelit të të ardhurave.
Konkretisht, sipas një shembulli të publikuar nga Monitor, një individ që kishte plotësuar dhe dorëzuar deklaratën DIVA, i kategorizuar në fashën me të ardhura bruto nën 1.2 milionë lekë dhe me dy fëmijë në ngarkim, përfitoi njohjen e shpenzimeve në vlerën 96 mijë lekë për kujdestarinë e fëmijëve dhe 100 mijë lekë për arsimin.
Pas zbritjes së këtyre shpenzimeve dhe rillogaritjes së tatimit, individi rezultoi me tatim të mbipaguar në vlerën 25 mijë lekë. Kjo është shuma që do t’i kthehet si kompensim. Për të përfituar këtë shumë, krahas kërkesës, certifikatës familjare dhe dokumentit që vërteton IBAN-in e llogarisë bankare, duhet të dorëzohen edhe faturat e fiskalizuara të shpenzimeve për fëmijët.
Afati për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës DIVA ishte deri më 31 mars 2026.
Që nga fundi i muajit maj, Administrata Tatimore ka nisur dhënien e kompensimeve për individët përfitues që kanë deklaruar një ose dy fëmijë në ngarkim. Në total, për këtë kategori janë 34,263 individë përfitues, ndërsa vlera totale e kompensimeve llogaritet rreth 518 milionë lekë.
Po ashtu e drejta për aplikim me qëllim përfitimin e kompensimit për asnjë kategori nuk humbet për 5 vite. Afati i shqyrtimit të kërkesës për kompensim nga administrate tatimore është deri në 2 muaj./ Marrë nga Monitor.al/kb
