Në luftën kundër korrupsionit, algoritmet po bëhen po aq të rëndësishme sa hetuesit. ILDKPKI ka nisur ndërtimin e një sistemi të ri kontrolli që synon të dallojë automatikisht “shenjat e kuqe” në deklaratat e pasurisë së zyrtarëve.
Modeli, i njohur si “Red Flags”, përdoret nga shumë institucione antikorrupsion në botë për të veçuar rastet me risk të lartë dhe për t’i kaluar ato në verifikim të thelluar. Nëse zbatohet sipas planit, ai mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si kontrollohen pasuritë e politikanëve dhe zyrtarëve në Shqipëri.
Sipas raportit, ILDKPKI po zhvillon një metodologji të re verifikimi të bazuar në analizën e riskut dhe në indikatorë paralajmërues të njohur si “Red Flags”. Qëllimi është që kontrollet të mos mbështeten vetëm te përzgjedhja formale e subjekteve sipas skemës ligjore aktuale, por të fokusohen te rastet që paraqesin probabilitet më të lartë për parregullsi, fshehje pasurie apo konflikt interesi.
Në raport thuhet se metodologjia po zhvillohet duke u mbështetur te praktikat më të mira ndërkombëtare, ku përdoren tregues risku për të identifikuar deklarata që meritojnë verifikim më të thelluar. Institucioni synon të përdorë edhe analiza të tipologjive të korrupsionit dhe të dhëna nga institucione të tjera për të ndërtuar këtë sistem.
Në praktikë, një model i tillë mund të sinjalizojë raste ku pasuria rritet me ritme të pazakonta krahasuar me të ardhurat e deklaruara, kur ka lëvizje të shpeshta të aseteve, transaksione të pazakonta, lidhje me persona apo kompani me interes publik, ose kur ka mospërputhje mes deklarimeve të ndryshme ndër vite.
Raporti nuk jep ende listën e indikatorëve që do të përdoren, por thekson se sistemi synon të prioritizojë rastet me risk më të lartë.
Një element tjetër i rëndësishëm është se kjo nismë lidhet edhe me planet për transformimin digjital të institucionit. ILDKPKI parashikon që sistemi elektronik i deklarimit të pasurive të lidhet me databaza të institucioneve të tjera shtetërore për shkëmbim të automatizuar informacioni, me synimin për të rritur saktësinë e verifikimeve dhe për të ulur kontrollin manual./monitor.al-a.d
