Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim të reduktuar 5% ka gjeneruar rreth 3.9 miliardë lekë të ardhura, ose afërsisht 40 milionë euro, gjatë periudhës shkurt–maj 2026.
Shifrat janë bërë publike nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili theksoi se interesi i qytetarëve për këtë proces rezulton më i lartë krahasuar me rivlerësimin e vitit 2022.
Ministri Malaj u shpreh se krahasuar me procesin e mëparshëm, të ardhurat janë rritur ndjeshëm.
“Po e diskutojmë me ISSH, kemi krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për ta afruar procesin e indeksimit në qershor ose korrik. Është çështje vendimmarrjeje që do ta ndajmë sapo të kemi dakordësinë. Të dhënat më të fundit e Drejtorisë së Tatimeve kanë rritje të faturave me 23%, deri në këtë moment shuma potenciale e kompensimit është 6-6.5 milionë euro. Procesi do të zgjasë deri në fund të muajit qershor”, tha Malaj.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022 u arkëtuan 5.6 miliardë lekë nga rivlerësimi, ndërsa në vetëm disa muaj të vitit 2026 janë mbledhur 3.9 miliardë lekë.
Gjithashtu, për periudhën shkurt–prill, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka llogaritur arkëtime në vlerën 3.2 miliardë lekë, ose rreth 34 milionë euro.
Nga totali i aplikimeve, rezulton se vetëm 22% e qytetarëve kanë kryer pagesën e tatimit, ndërsa pjesa tjetër mbetet e papaguar ose e refuzuar. Në total janë regjistruar 9,532 aplikime.
Sipas të dhënave, 53% e aplikimeve rezultojnë me tatim të papaguar, ndërsa 25% janë refuzuar nga ASHK.
Numri më i madh i aplikimeve është përqendruar në Tiranë dhe Durrës, ku kryeson kryeqyteti me 42% të totalit.
Ndërkohë, në rrethe procesi i rivlerësimit vijon të kryhet me çmimet e referencës të vitit 2016, pasi ende nuk janë miratuar çmimet e reja.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se grupi i punës nuk ka përfunduar ende përcaktimin e çmimeve të reja të referencës për rrethet.
“Grupi i punës është duke punuar, është më kompleks se përfshin edhe bashkitë. Ky proces nuk e pengon rivlerësimin, por kjo nuk i pengon qytetarët që kërkojnë të bëjnë rivlerësimin sipas çmimeve të tregut, mund ta bëjnë me vlerësues privat”.
Në korrik 2025, Ministria e Financave propozoi një hartë të re çmimesh me rritje deri në 200%, e cila fillimisht ishte parashikuar të hynte në fuqi në janar 2026. Megjithatë, ajo ende nuk është miratuar.
Po ashtu, është propozuar përfshirja e zonave të reja kadastrale, përfshirë fshatrat si njësi më vete, ndërsa aktualisht për zonat rurale aplikohet çmimi i qytetit me një ulje prej 35%.
Ministri Malaj ka theksuar më herët në Kuvend se çmimet e referencës janë në proces rishikimi nga grupi ndërinstitucional, i cili po punon për të reflektuar sa më afër vlerat e tregut./a.d
