Mbi 1.2 milionë besimtarë dhe vizitorë mbushën rrugët kryesore dhe sheshet e Madridit këtë të diel, për të përshëndetur Papa Leonin gjatë një prej ngjarjeve më të mëdha të vizitës së tij njëjavore në Spanjë.
Qytetarët u rreshtuan përgjatë bulevardit kryesor Paseo de la Castellana, ndërsa Ati i Shenjtë përshkoi rrugën drejt Sheshit Cibeles.
Mes brohoritjeve “Rroftë Papa” dhe valëvitjes së flamujve, mijëra besimtarë hodhën petale lulesh në momentin e mbërritjes së tij në shesh.
Gjatë ceremonisë, kryetari i Bashkisë së Madridit, Jose Luis Martinez-Almeida, i dorëzoi Papa Leonit çelësin simbolik të qytetit, në shenjë nderimi dhe mirëseardhjeje.
Vizita e Atit të Shenjtë në Spanjë nisi të shtunën me takime me emigrantë dhe persona të pastrehë, si edhe me një vigjilje fetare, ku morën pjesë rreth 600 mijë të rinj në Madrid.
Vizita e Papës, e cila do të zgjasë deri më 12 qershor, konsiderohet nga besimtarët si një nga ngjarjet më të mëdha të këtij viti në Spanjë.
