Të shtëna me armë zjarri u regjistruan në qytetin e Toledos, në shtetin amerikan të Ohajos, pranë zonës ku po zhvillohej festivali Old West End Festival.
Sipas autoriteteve, disa persona u goditën nga plumbat.
Departamenti i Policisë së Toledos bëri të ditur se është në kërkim të autorit ose autorëve të dyshuar të përfshirë në ngjarje.
Të paktën 12 persona të plagosur janë transportuar në spitalet e zonës për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, njoftoi Policia e Toledos në një postim.
. Deri më tani nuk janë bërë publike informacione mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Policia u ka kërkuar qytetarëve të shmangin zonën ndërsa vijojnë hetimet.
I plagosuri më i ri është 14 vjeç, ndërsa më i moshuari 61 vjeç. Shumica e të lënduarve janë pak më shumë se 20 vjeç.
Autoritetet po punojnë mbi pistën se në ngjarje kanë qenë të përfshirë të paktën dy persona të armatosur, të cilët ka shumë të ngjarë të kenë qëlluar ndaj njëri-tjetrit, deklaroi zëvendësshefi i policisë, Joe Heffernan.
Guvernatori republikan i Ohajos, Mike DeWine, reagoi ndaj ngjarjes duke e cilësuar atë një krim të pakuptimtë.
“Festivalet verore duhet të jenë vende të sigurta ku familjet mund të kalojnë kohë së bashku pa frikën e dhunës”, shkroi ai në një postim në rrjetin social X./mxh
