Skena tronditëse u panë mbrëmjen e së dielës në ndeshjen miqësore ndërmjet Danimarkës dhe Ukrainës, kur mesfushori danez Christian Eriksen u rrëzua papritur në fushë gjatë pjesës së dytë të takimit.
Sipas mediave daneze, atmosfera ishte jashtëzakonisht e rëndë. Disa futbollistë nuk i fshehën emocionet, ndërsa tifozët ndiqnin me shqetësim zhvillimet në fushë.
Pas disa minutash pasigurie, erdhën lajme më pozitive. Federata Daneze e Futbollit (DBU) konfirmoi se Eriksen ishte i vetëdijshëm, lajm që u prit me duartrokitje të gjata nga mijëra tifozët e pranishëm në stadium.
Ndeshja nuk vazhdoi më dhe u ndërpre para përfundimit të saj. Rezultati në ato momente ishte 2-1 në favor të Danimarkës, por futbolli kaloi në plan të dytë përballë shqetësimit për gjendjen e lojtarit.
Eriksen u largua nga stadiumi me ambulancë, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe pjesëtarë të ekipit kombëtar, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme në spital.
Ngjarja riktheu menjëherë kujtimet e dhimbshme të Euro 2020, kur Eriksen pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës. Pas një beteje të gjatë dhe rikuperimi të suksesshëm, ai u rikthye në futbollin profesionist në vitin 2022, duke u bërë një simbol i forcës dhe këmbënguljes në sport./mxh
