Kur flasim për divorcin, zakonisht mendojmë për tradhti, konflikte të mëdha apo probleme financiare. Por sipas tre psikologëve të intervistuar nga Parade, arsyeja që shfaqet më shpesh te divorcet pas moshës 50-vjeçare është diçka për të cilën nuk flitet shpesh: largimi i fëmijëve nga shtëpia.
Dukuria njihet si “empty nest syndrome” (sindroma e folesë bosh) dhe ndodh kur fëmijët rriten, largohen për studime apo krijojnë jetën e tyre. Për shumë prindër, kjo sjell një ndryshim të madh emocional: humbje të rutinës, ndryshim të rolit si prind dhe, shpesh, një përballje të papritur me marrëdhënien që kanë ndërtuar ndër vite.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se largimi i fëmijëve nuk e shkakton vetë divorcin.
“Për shumë çifte, fëmijët kanë qenë elementi që i ka mbajtur të përqendruar për vite me radhë. Kur ata largohen, dalin në sipërfaqe problemet që kanë qëndruar të pazgjidhura për një kohë të gjatë,” shpjegojnë psikologët.
Me fjalë të tjera: disa çifte zbulojnë se kanë qenë prindër shumë të mirë, por jo domosdoshmërisht partnerë të mirë për njëri-tjetrin.
Sipas të dhënave të cituara në artikull, divorcet pas moshës 50-vjeçare janë rritur ndjeshëm gjatë dekadave të fundit. Psikologët e lidhin këtë edhe me ndryshimet shoqërore. Njerëzit jetojnë më gjatë, gratë kanë më shumë pavarësi financiare dhe gjithnjë e më pak persona janë të gatshëm të kalojnë dekada në një marrëdhënie që nuk i bën të lumtur.
Kjo nuk do të thotë se çdo martesë pas largimit të fëmijëve do të përfundojë. Përkundrazi.
Ekspertët sugjerojnë që çiftet të investojnë sërish te marrëdhënia, të krijojnë interesa të përbashkëta, të kalojnë kohë cilësore bashkë dhe, nëse është e nevojshme, të kërkojnë ndihmë profesionale.
Në disa raste, problemi nuk është që dashuria ka mbaruar, por fakti që, mes fëmijëve, punës, përgjegjësive dhe viteve që kalojnë, partnerët kanë harruar të njihen përsëri me njëri-tjetrin./mxh
